NGA KLODIANA LALA

Një ish-trajner futbolli prej muajsh vazhdon përballjen me drejtësinë shqiptare, për akuzën e ngacmimit seksual të të miturve. Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 5 vite burg për të pandehurin S.M 50 vjeç. Në dosjen e prokurorisë thuhet se ish-trajneri S.M, në nëntor të 2015, është paraqitur në spitalin e Traumës, pasi kishte dëmtime të rënda në trup e fytyre.

Ai iu tha oficerëve të policisë se ishte goditur me mjete të forta në makinën e tij nga dy djem, R.V dhe K.GJ, të cilët i kishin vjedhur shumën prej 60 mijë lekësh. Por, alibia e ish-trajnerit të futbollit, është rrezuar shpejt.

Dy gjimnazistët, të cilët u shoqëruan për tu pyetur për ngjarje, iu thanë hetuesve se ish-trajneri i kishte ngacmuar seksualisht, ndaj për këtë arsye e kishin goditur. Në dosjen e prokurorisë thuhet se S.M. e ka njohur të miturin K.Gj, përmes një mikut të tij dhe ka këmbëngulur që të uleshin në kafe sëbashku derisa gjimnazisti ka pranuar.

Gjatë bisedës së zhvilluar mes tyre, trajneri asokohe i ka drejtuar pyetje të tilla si “a ke qejf të rrish me mua? A të pëlqej? Do të përgjigjesh mua sa herë që dua të rri me ty?” etj.

Pasi kanë përfunduar kafen, trajneri e ka marrë të miturin në makinën e tij dhe ka nisur ta prekë në vende intime. Pas shumë kundërshtimesh djali ka mundur të zbresë nga makina e ish-trajnerit dhe është larguar. Që prej këtij momenti, i mituri pretendon se ka tentuar të mos ketë më kontakte me ish-trajnerin, por ky i fundit ka këmbëngulur që të takoheshin.

Në momentin e ritakimit, ai i ka kërkuar llogari se përse nuk i ishte përgjigjur në telefon. I gjendur përballe një situate të tillë, i mituri është përpjekur ta fusë në kurth ish trajnerin duke i çuar mesazh ku thuhej se i kishte gjetur një mikun e tij, për “punën” që ai e donte.

Të tre kanë vendosur të takohen dhe me të hipur në makinën e ish-trajnerit ky i fundit ka kërkuar të qëndrojë vetëm me mikun e ri, R.V.

Në këto momente, dy të rinjtë e kanë rrahur trajnerin dhe ai ka përfunduar në spital dhe prej andej ne qelitë e paraburgimit, ku dhe ndodhet aktualisht.

Pasi dëgjoi pretencën e prokurorisë, gjykata i la 10 ditë kohë të pandehurit për të paraqitur pretendimet e tij.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb