Një ditë pas ngjarjes së rëndë ku një mësues është arrestuar pasi akuzohet për ngacmim seksual ndaj dy të miturave nxënëse në shkollën Sotir Gura ku ai jepte lëndën e artit pamor, flasin prindër dhe gjyshër të shqetësuar për fëmijët dhe nipërit e tyre.

“Ç’të të them unë më shumë se kaq, një mësues që duhet të edukojë fëmijët dhe të sillet në atë gjendje? Është shumë e rëndë. Tek kjo shkollë kam nipërit, kam dy, nuk na erdhi mirë se në këtë shkollë nuk kishim dëgjuar ndonjëherë gjëra të tilla po ja që ndodhin. Kur mësuesit vihen në detyrë duhet të shikohen mirë të merret CV e tyre, e kaluara, këtë mendoj”

“Shumë gabim, jo gabim por është faj i rëndë. Unë kam një nip në këtë shkollë, këto situata na shqetësojnë shumë, nuk është etike, nuk është njerëzore. Njeriu ka karakter. Mësuesit duhet të zgjidhen me kujdes”

“Unë nuk di gjë tani po e marr vesh, nuk është gjë e mirë. Na shqetëson unë kam fëmijën këtu, shumë gabim, nuk duhet ta bënte këtë gjë. Duhet të ketë kontrolle duhet të ketë intervista më të gjata për të punësuar mësuesit, duhet të jenë tamam mësues për të dhënë mësim. Gjë e keqe është, në shoqërinë tonë, ne sjellim fëmijët këtu dhe dëgjojmë lloj-lloj, nuk është gjë e mirë por ndodhin. Duhen marrë masa në shkollë. Jemi shumë të shqetësuar se dëgjojmë shumë në televizor. Unë tani që e dëgjova jam shumë e shqetësuar se sjell mbesën këtu, djalin e sjell. Ai që e bën këtë gjë e ka bërë këtë gjest më përpara dhe shiko shiko… Jemi shumë të shqetësuar, nuk është hera e parë që kemi dëgjuar por themi do merren masa. Shkolla duhet të jetë e sigurt”, janë disa nga reagimet e tyre për News24.

Duhet të kujtojmë se mësuesi i shkollës 9-vjeçare Sotir Gura në Korçë i identifikuar nga policia si Bledar Duro ka rënë në pranga një ditë më parë pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy të mitura me mesazhe

Policia njoftoi se 14-vjeçaret merrnin mesazhe në whatsapp nga mësuesi prej gati 1 muaj, mesazhe me përmbajtje të rënda të cilësuara nga grupi hetimor si skandaloze.

Nxënëset iu drejtuan policisë së Korçës të shoqëruara nga prindërit.

Ndërkohë pas njohjes së rastit të rëndë u bë menjëherë pezullimi i mësuesit Bledar Duro, ndërsa mësohet se nga drejtoria arsimore në vijim do të zbatohet një plan masash shtesë për sigurinë e nxënëseve në shkollat e qarkut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb