Një infermier i Urgjencës në Spitalin e Pogradecit është arrestuar sot, pasi ndaj tij rëndon akuza për ngacmim seksual.
Rasti u publikua nga një emision investigativ, ku u verifikuan pamjet filmike nga ana e policisë. Një e re 24-vjeçare nga Pogradeci kishte denoncuar infermierin, duke treguar se kishte shkuar në spital për ndihmë, pasi vuante nga një sëmundje e rrallë dhe kishte simptoma si marrje fryme dhe rrahje të shpeshta zemre.
Pas ekzaminimit nga mjeku i Urgjencës, vajza u orientua për të bërë një elektrokardiogramë. Në ato momente, infermieri Metjan Muço, i cili është rreth 36 vjeç, filloi ta ngacmojë me fjalë dhe në mënyrë të papërshtatshme.
Njoftimi i policisë:
Pogradec
Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Pogradec ndaluan shtetasin M. M., 36 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Ngacmim seksual”
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi, më datë 17.09.2024, në televizionin “Klan”, gjatë emisionit investigativ “STOP”, janë shfaqur pamjet filmike ku shtetasi M.M, me profesion infermier në Urgjencën e Spitalit Pogradec, është denoncuar nga një shtetase me pretendimin se është ngacmuar seksualisht nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.