Nga: JORGJI KOTE *
Edhe pse kanë kaluar gati 25 vjet qysh kur feja rifi toi të drejtën e “qytetarisë” në këtë vend, sa herë vijnë Krishtlindjet dhe Viti i Ri, bashkë me gëzimin dhe atmosferën e veçantë që ato sjellin, na vjen ndërmend periudha pas vitit 1967, kur regjimi i atëhershëm, jo vetëm që u mbylli dyert, por dhe u vuri dinamitin pothuajse të gjitha institucioneve dhe kulteve fetare, ndaloi ushtrimin e çdo riti fetar dhe burgosi e persekutoi shumë përfaqësues të besimeve fetare dhe qytetarë të pafajshëm; vetëm e vetëm se besonin te Zoti! Ishte koha kur Shqipëria mburrej si vendi i vetëm ateist në botë!
Pasojat e asaj kryqëzate të vërtetë ideologjike anti-fe i ndjemë shumë shpejt edhe ne nxënësit e atëhershëm të shkollave. Këtë po e ilustroj me një rast të thjeshtë, por që flet shumë, të cilin e kam përmendur më gjatë në librin “Në Vetërrethim”. Gjatë vitit shkollor 1968–1969 isha nxënës në klasën e parë të Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Mësimin e anglishtes atë vit e bënim ende për fatin tonë të mirë me një metodë shumë të bukur dhe tërheqëse franceze, e cila veç të tjerash kishte dhe shenjat e intonacionit dhe theksit në anglisht. Këto metoda lejoheshin vetëm për ne nxënësit e asaj shkolle, kjo pasi në to tregohej me tekst dhe sidomos me fotografi me ngjyra për “jetën dhe zakonet borgjeze “në Angli, për qytetet dhe rrugët atje, veshjen e njerëzve, për Pallatin e Mbretëreshës, etj. Mesa duket, autoritetet arsimore të asaj kohe nuk kishin pasur kohë të siguronin tekste të tjera në vend të këtyre teksteve “borgjeze” derisa erdhën metodat kineze, nga më të ideologjizuarat që kemi parë ndonjëherë dhe aspak tërheqëse për moshën tonë. Ndaj, në kuadrin e “nismës revolucionare kundër zakoneve, riteve dhe kulteve fetare, me porosi të veçantë të Partisë, mësuesit na dhanë porosi për të fshirë dhe ndryshuar disa fjalë dhe emra në tekstin e mësimit të gjuhës angleze. Na bëri përshtypje se objektivi kryesor i këtyre ndryshimeve kishte të bënte me pemën e bredhit që zbukuronte klasën dhe shtëpitë tona në çdo fundviti. Kështu, në një tekst mësimor ku përmendej në anglisht fjala “Christmas Tree” pra “Pema e Krishtlindjeve”, me porosi të mësueses e fshimë atë me bojë të zezë, duke shkruar mbi të “New Year Tree” ose “Pema e Vitit të Ri”. Po ashtu, fjalën “Krishtlindje – Christmas” e hoqëm me bojë të zezë si fjalë të huaj dhe të keqe, që nuk kishte kurrfarë lidhje me jetën tonë. Në fakt, deri atëherë shumica prej nesh mendonte se pema ose bredhi i bukur i takonte Vitit të Ri. Mirëpo, diku nga viti 1969, u përhap një thashethemnajë e frikshme, madje nga “lart”, se kjo pemë nuk do të lejohej të vendosej më askund! Ky lajm, një muaj para festës së fundvitit na trishtoi shumë të gjithëve. Sepse me thënë të drejtën, pavarësisht se kishte disa festa të tjera, ajo e Vitit të Ri ishte më e bukura dhe më e veçanta, sidomos për ne fëmijët – kishim kohën e pushimeve, të lojërave, çmalleshim me prindërit, që na jepnin dhurata, edhe pse sot ato do të dukeshin tejet modeste (psh., një pako me dy llokume, një biskotë dhe kush kishte me shumë fat, një lodër plastike). Atmosfera që krijonte pema u jepte dritë, gaz dhe ngrohtësi shtëpive të varfëra (në atë kohë ende nuk ishte futur televizori në shtëpitë tona). Vetë blerja e pemës origjinale diku pranë Kinostudios, si dhe zbukurimi i saj me pambuqe, ca drita dhe stoli të tjera ishte një proces që të jepte kënaqësi dhe kthehej në një garë miqësore se kush do ta bënte më të bukur. Madje, kur pema hiqej gati një muaj më vonë, shtëpia dukej sërish shumë e varfër dhe fillonte rutina e përditshme e jetës. Përgjigja shokuese, por ama e vërtetë ndaj pyetjes se pse duhej hequr, ishte se pema kishte karakter fetar, se ajo ishte huazuar nga feja! Atëherë m’u kujtua historia e zëvendësimit të fjalës Krishtlindje me Vitin e Ri në tekstin tonë të anglishtes.
Për fatin tonë të mirë, mesa duket do të jetë menduar edhe atje “lart” se heqja e pemës do të shkaktonte vetëm irritim në fukarallëkun e asaj kohe, ndaj ajo u lejua, duke qartësuar dhe njëherë se ndryshe nga vendet e tjera të botës, në Shqipërinë e shpallur ateiste bëhej fjalë vetëm për pemën e Vitit të Ri dhe gëzimi ynë ishte i madh. Kështu, pema, ashtu si dhe dhuratat, për ne vijuan të ishin simbol i Vitit të Ri. Edhe në vjershat apo këngët që këndonim thuhej shprehimisht “rrotull Pemës së Vitit të Ri, me këngë e me valle”. Vonë mësuam ashtu gjysëm fshehurazi, por pa hapur gojën se në fakt ajo ishte pema e Krishtlindjeve. Ashtu si dhe “Plaku i Vitit të Ri, që ishte “Plaku i Krishtlindjeve”, siç e njeh gjithë bota e qytetëruar. Sepse edhe “Plaku i Krishtlindjeve” në Shqipërinë e asaj kohe ishte shpallur jo thjesht “non grata”, por “jashtë ligjit”.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: