TIRANË

Pas deklaratës së bërë nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me çështjen e kryebashkiakut të Vorës Agim Kjamakut se posta ka ngatërruar adresën e subjektit, ka ardhur menjëherë reagimi i Postës Shqiptare, e cila hedh poshtë pretendimin e Prokurorisë dhe thotë se materiali ka shkuar në adresën përkatëse.

“Sipas verifikimeve në sekretarinë e Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se shërbimi postar (Drejtoria e Përgjithshme e Postave) ka ngatërruar adresën e subjektit Agim Kajmaku dhe ende nuk e ka dorëzuar shkresën”-tha sot Prokuroria.

Me anë të një deklarate të shpërndarë për mediat Posta Shqiptare ka bërë me dije se:  “Sipas verifikimeve të kryera nga Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare, rezulton se në emër të z. Kajmaku është dërguar nga Prokuroria e Përgjitshme më datë 26/08 një objekt postar (dërgesë postare me barkodin përkatës).” Sipas Postës, të gjitha dërgesat postare të nisura nga Prokuroria e Përgjithshme janë të pajisura me BarCode dhe lehtësisht të verifikueshme.

Reagimi i postës:

Duke marrë shkas nga publikimet  në media në lidhje me njoftimin e dalë nga Prokuroria e Përgjithshme  për rastin e z. Agim Kajmaku, Kryetar i Bashkisë Vorë, sqarojmë se :

Të gjitha dërgesat postare të nisura nga Prokuroria e Përgjithshme janë të pajisura me BarCode dhe lehtësisht të verifikueshme. Sipas verifikimeve të kryera nga Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare, rezulton se në emër të z. Kajmaku është dërguar nga Prokuroria e Përgjitshme më datë 26/08 një objekt postar (dërgesë postare me barkodin përkatës).

Më datë 29/08 është kryer dorëzimi i objektit, brenda 72 orëve, në përputhje me rregulloren mbi këto lloj dërgesash. Në sistemin e dërgesave, objekti postar në fjalë rezulton i dorëzuar pranë Bashkisë Vorë.

Ky fakt vërtetohet lehtësisht në dy mënyra: Sistemin e dërgesave nga barkodi përkatës. Prova e dorëzimit e firmosur nga sekretaria e Bashkisë Vorë.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: