Kryetarja e Gjykatës së Gjirokastrës Albina Spaha u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të hënën. Komisioni e gjeti atë gjatë hetimit administrativ me probleme në kriterin e pasurisë.

Trupa gjykuese e përbërë nga Xhensila Pine kryesuese, Genta Tafa (Bungo) anëtare dhe Pamela Qirko relatori vendosi në favor të shkarkimit pasi e hetoi Spahan në të tre kriteret.
Gjatë seancës dëgjimore Spaha u përball me një sërë dyshimesh mbi burimin e ligjshëm të pasurive të saj. Sipas relatores ajo nuk kishte burime të ligjshme për të justifikuar blerjen e një apartamenti në Tiranë dhe kursimet ndër vite. KPK po ashtu gjeti disa shuma në llogari bankare që sipas relatores nuk ishin deklaruar dhe nga analiza financiare rezultoi një bilanc negativ prej 6.3 milion lekësh.

Spaha u mbrojt duke pranuar si pakujdesi mosdeklarimet. Po ashtu ajo kërkoi që të përfshiheshin në analizë të ardhurat e bashkëshortit sipas asaj që ajo kishte deklaruar.
Në këtë pikë Spaha u duk se ishte në një situatë të ngjashme me magjistratë të tjerë dhe ngjashëm ajo fajësoi kompanitë e ndërtimit që kishin punësuar të shoqin që nuk kishin paguar sigurime dhe tatime për rroga të plota.

Gjatë seancës dëgjimore u vu në dukje se ajo nuk kishte probleme në kriterin e figurës dhe u vlerësua pozitivisht në kriterin e profesionalizmit. KPK nuk u shpreh për 5 denoncime që kishte marrë por tha se do i shpjegonte në vendim. /Reporter.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb