Shqipëria finalizoi me Italinë marrëveshjen për njohjen e pensioneve nga e cila përfitojnë rreth 500 mijë bashkëkombas që jetojnë dhe punojnë përtej Adriatikut. Edhe me Greqinë është në diskutim marrëveshja, por gjasat janë që ajo të hasë në vështirësi.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh gjatë një konference se me Athinën po diskutohet njëkohësisht në disa cështje, mes tyre edhe për njohjen e pensioneve. Kryediplomati shqiptar tha se numri i përfituesve në Greqi është më i madh se në Itali, ndërsa renditi si problematikë në këtë proces ndryshimin e emrave të shqiptarë në momentin që emigruan në Greqi.

Qeveria shqiptare e ka bërë pjesën e vet për hartimin, saktësimin dhe definimin sa i përket marrëveshjes së pensioneve mes Greqisë dhe Shqipërisë. Nuk është e lehtë, por këtu nuk po përpiqem të justifikoj asgjë. Nuk është një negociatë shumë e lehtë sepse numrat janë të mëdhenj dhe realitetet janë të ndryshme, por po përpiqemi maksimalisht që ne këtë gjë ta shtyjmë dhe ta bëjmë sa më shpejt konkrete.

Ka shumë tema të hapura me Greqinë dhe ne duam që gjërat t’i negociojmë të gjitha por të arrijmë rezultate të shpejta tek secila prej tyre. Nëse do të arrijmë dicka tek pensionet jemi gati. Në ndryshim nga Italia ku negociatat ishin të gjata dhe me shumë anekse, atje nuk ishte problem ndërrimi i emrave.

Kur të futemi tek elementet teknike duhet të jemi shumë të qartë dhe të angazhuar për atë që po bëjmë. Di të them që shumë shqiptarë, të cilët kanë punuar në Greqi këto përfitime i marrin në momentin që kanë emigruar nga Greqia në vende të tjera të Bashkimit Europian me të cilat ne kemi marrëveshje. Pra nëse kanë emigruar nga Greqia në Itali, ku ne kemi marrëveshje kanë përfituar”, tha ai.

Hasani foli edhe për procesin e integrimit të vendit në BE. Ministri i Jashtëm tha se negociatat me Greqinë kanë qenë diskrete në mënyrë që Athina të mos pengojë hapjen e grupkapitujve të Tiranës me BE-në.

“Janë shumë kantiere të hapura me Greqinë. Angazhimi ka qenë konstat gjatë këtij viti për çëshjten e hapjes së grup kapitullit të parë. Ka qenë diskret, jo publik, jo me mikrofona, apo dekarata por mendoj se jemi në rrugën e duhur. Ka qenë një angazhim diskret, jo publik, jo me mikrofona dhe deklarata, por me punë dhe angazhim të përhershëm dhe mendoj që jemi gjithmonë në rrugën e duhur, pasi momente të tilla janë, unë do t’i cilësoja aksidente, që thjesht na bëjnë më të vëmendshëm për mënyrën si do të përgatitemi në negociatat në vazhdim”, tha Hasani.

A ka marrë garanci nga Greqia se nuk do të bëhet pengesë për procesin e integrimit?

Igli Hasani u shpreh se “në historinë e dy popujve, dy prej realiteteve më të vjetra në rajon, një individ nuk mund të prishë një marrëdhënie shumëshekullore”, duke iu referuar rastit të Fredi Belerit, i dënuar nga GJKKO me 2 vite burg për blerje votash.

“Patjetër mos të harrojmë sa shumë ka ndodhur dhe është bërë mes Shqipërisë dhe Greqisë me momente të vështira dhe shumë të mira. Padyshim dy popujt janë shumë afër dhe do të vazhdojnë jenë shumë afër në rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe ne e shohim edhe me mbështetjen e Greqisë”, tha Hasani.

Por në çfarë faze janë diskutimet për shfuqizimin e ligjit të luftës nga ana e Greqisë?

“Kuvendi tashmë i ka ofruar Shqipërisë por dhe Greqisë një dokument që shtrin dorën për të nisur të mendojë për këtë çështje të rëndësishme. Rëndësia që dy vendet tona kanë duhet të anashkalojnë çdo pengesë në mënyrë që në BE të jemi pa hije të së shkuarës”, tha ministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb