NGA ESIDO BARKAJ*

Prej 22 vitesh një student i Fakultetit Ekonomik nuk ka marrë diplomën pasi rezulton ngelës në lëndën e kontabilitetit. Pasi ngeli plot 40 herë në të njëjtin provim u ngrit një komision i cili sipas studentit u ngrit nga vetë pedagogu që e kishte ngelur plot 40 herë. Në lidhje me këtë situatë, studenti iu drejtua Avokatit të Popullit ku i kërkoi ngritjen e një komisioni të paanshëm dhe që pedagogu Sotiraq Dhamo të mos kishte ndikim.

Avokati i Popullit duke vërtetuar se kjo çështje kishte konflikt interesi, i kërkoi Rektoratit dhe Ministrisë së Arsimit që të jepnin zgjidhje këtij problemi. Vetë dekani i këtij fakulteti Sulo Hadëri pohon se ky problem duhet të ishte zgjidhur me kohë. Situata është më e vështirë pasi pedagogu i lëndës është edhe shef i departamentit.

Ministria e Arsimit ende nuk i ka kthyer një përgjigje zyrtare studentit. Në këto kushte studenti iu drejtua kryeministrisë, e cila përmes një shkrese zyrtare apelon MAS që të marrë masa. Pavarësisht kësaj, Ministria e Arsimit hesht. “Kaktus” kontakoi edhe me profesorin e lëndës, i cili u shpreh se studenti nuk është i aftë për të marrë këtë provim. Në këto kushte, studenti, i përballur nga pedagogu që është vetë Ali dhe vetë Kadi, duke parë dhe heshtjen e Ministrisë së Arsimit është detyruar që të marrë shpërnguljen nga ky fakultet.

Emri i profesor Sotiraq Dhamo është një emër i njohur për studentët e Ekonomikut pasi ai njihet si pedagogu që ngel më shumë se 90% të studentëve në provim. Në vitin 2008, studentët e Ekonomikut protestuan kundër këtij pedagogu ku kërkuan largimin e tij si shef departamenti.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: