Pavarësisht se ngelet një prej golashënuesve më të mirë të kampionatit së bashku me Regi Lushkjen, në kuotën e 14 golave, Bekim Balaj po kalon një periudhë “ngërçi” te Vllaznia.

Sulmuesi kryesor i skuadrës nuk gjen golin prej më shumë se dy muajsh mes ndeshjeve të kampionatit dhe Kupës. Për herë të fundit, ish-sulmuesi i Kombëtares ka shënuar në datën 31.01.2025, ku Vllaznia fitonte 1-3 përballë Teutës në transfertë.

Që nga ai duel në fund të janarit, janë luajtur 13 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës për 9 herë kampionët e vendit, ku Balaj nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në asnjë prej tyre, përjashto këtu ndeshjet me Teutën në kampionat dhe Dinamon në Kupë, ku 34-vjeçari nuk ka qenë i pranishëm për shkak dëmtimi. Në duelet e tjera, shtatlarti është aktivizuar në të gjitha, duke mos gjetur dot golin.

Një total prej 920 minutash ku Balaj nuk ka shënuar dhe që vërtetojnë për “bllokimin” e tij gjatë kësaj periudhe, bllokim që ka ndikuar edhe tek ecuria e Vllaznisë në këtë periudhë. Me shkodranët që shpresojnë që “bomberi” i tyre të zhbllokohet që në ndeshjen e radhës kundër Dinamos, ku tashmë rrjetat e kapitenit shndërrohen në “jetike” për arritjen e sukseseve dhe trofeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb