TIRANË

Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmes një deklarate për mediat  tha se maxhoranca ka marrë iniciativën për të zgjeruar hetimin për shkeljet e kreut të shtetit, ndërsa shtoi se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë një opinion mbi ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo deklaratë e sekretarit të përgjithshëm të PS shkon në një linjë me atë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, e cila iu bëri thirrje institucioneve që për konfliktin në fjalë t’i drejtohen Komisionit të Venecias.


“Kemi marrë iniciativën për të zgjeruar hetimin për shkeljet kushtetuese të presidentit Meta. Do t’i drejtohemi Komisionit të Venecias për ngërçin që është krijuar për Gjykatën Kushtetuese. Kemi besim se Komisioni i Venecias do të japë opinione objektive lidhur me këtë çështje. Nuk komentojmë vendimet e KPK dhe KPA, pasi ato janë vendime të autoriteteve kushtetues. Politikanët duhet të heshtin sa herë që vettingu pastron drejtësinë nga elementët që kanë lidhje me krimin. Më mirë një Gj.Kushtetuese me 4 anëtarë, se sa gjithmonë  me shejtanin brenda. Do ishte qesharake që Besnik Muçi të qëndronte ende në Gjykatën Kushtetuese. Institucionet e reja të drejtësisë duhet të kenë persona që nuk kanë asnjë lloj mangësie në pastërtinë e figurës, pasurisë. Ashtu siç kemi thënë Emërimi i Xhaferllarit është një dekret i paligjshëm për Kuvendin e Shqipërisë”-tha ai, ndërsa shtoi se Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe shumë shpejt do t’i ketë të ngritura institucionet e drejtësisë.


(n.m/BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: