TIRANE
Edhe pse premtoi marsin, Ministria e Financave nuk ka ende një datë se kur do të nisë puna për prodhimin e pullave fiskale nga shoqëria e re që do të funksionojë nën administrimin e Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë.
Bizneset të cilat janë subjekte akcize dhe përdorin pulla fiskale po përballen me një situatë të paprecedentë në doganë, për shkak se mungojnë pullat fiskale. Ky ngërç i tillë sipas bizneseve lë shteg për evazion fiskal dhe kontrabandë të mallrave.
Bizneset ende nuk kanë një përgjigje se kush do t’i paguajë kostot e tyre për mungesën e pullave fiskale por ndërkohë po përballen edhe me një tjetër problematikë.
Kompania koncesionare SICPA të cilës i përfundoi kontrata në muajin Dhjetor ka njoftuar bizneset përmes një e-maili se data 25 Mars është afati përfundimtar për prodhimin e pullave dixhitale me të cilat funksiononin deri tani.
Nëpërmjet e-mailit koncesionari njofton se pas kësaj date sistemi SICPATRACE nuk do te jete me funksional, dhe si rrjedhoje, prodhimi i pullave dixhitale do te ndaloje. Kjo kompani I informon bizneset se për vijimin e procesit te prodhimit te pullave dixhitale pas kësaj date, duhet të kontaktojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për detaje të mëtejshme.
Pas marrjes së këtij e-maili bizneset i janë drejtuar drejtorisë së përgjithshme të doganave me anë të një shkrese ku pasi e kanë venë në dijeni për e-mailin e kompanisë SICPA i kërkojnë udhëzimet e nevojshme për procedurën e vijueshmërisë së prodhimit të pullave fiskale.
Bizneset kërkojnë të pajisen sa më shpejt me pulla fiskale në mënyrë që të vijojnë aktivitetin ekonomik dhe dëmet në të ardhura të mos shtohen në vijim.