Policia publikon pamjet brenda apartamentit të Astirit ku një ditë më blutë u alarmuan pas telefonatës së një vajze 21-vjeçare e cila njoftoi se ishte dhunuar. Në pamje duken dy armët e zjarrit pistoletë që u gjetën brenda banesës së marrë me qira nga 21-vjeçarja Sajma Qordja dhe 5 persona të tjerë. Në apartament u gjetën dy armë zjarri pistoletë, jelekë antiplumb, alkool si edhe u zbuluan shenja të konsumimit të lëndëve narkotike.
Policia shpalli në kërkim të dashurin e 21-vjeçares dhe 4 shokët e tij. Sipas bluve të kryeqyetit këta persona e kanë mbajtur të mbyllur në banesë 26-vjeçaren e cila më pas ka telefonuar Policinë. Forcat RENEA arritën të hynin në banesën ku ndodhej vajza duke zbritur me litar nga tarraca e pallatit.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për shtetasen S. Q. që kërkoi ndihmën e Policisë, ndërkohë që ndodhej në katin e tetë të një pallati në Astir, bëjmë me dije se:
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:
S. S., 29 vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O. A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë; J. S., 26 vjeç, banues në Tepelenë; dhe A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë.
Nga veprimet e para hetimore të kryera për këtë rast dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore.
Gjithashtu, ishte marrë me qira ditore apartamenti përballë në të cilin shërbimet e Policisë, ditën e djeshme, gjetën gjatë kontrollit, 2 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera personale që do t’i shërbejnë hetimit.
Vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
(BalkanWeb)