Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Sokol Mjacaj, i dënuar përjetë, ka qëlluar me armë brenda në qelinë e tij të burgosurin Arben Lleshi, duke e lënë të vdekur, si dhe ka plagosur Indrit Shaqja, i cili ndodhej në qeli bashkë me viktimën. Të tre personazhet janë të dënuar me burg përjetë.

Por si ndodhi ngjarja dhe kush është Sokol Mjacaj?

Sokol Mjacaj pasi është kthyer nga zona e ajrimit, është afruar në qelinë ku ndodhej Arben Lleshi bashkë me Indrit Shaqjan.

Mjacaj e ka thirrur në emër Lleshin, dhe pasi ky i fundit është ngritur në këmbë dhe është afruar në dritaren e derës së qelisë, ai e ka qëlluar me tre plumba. Lleshi ka mbetur i plagosur rëndë dhe më pas ka ndërruar jetë.

Nga plumbat mbeti i plagosur edhe Indrit Shaqja. Paraprakisht dyshohet se Mjaca është urdhëruar për vrasjen e Lleshit, për arsye hakmarrjeje.

Mjacaj pasi ka vrarë Arben Lleshi dhe plagosur Indrit Shaqja, nën kërcënimin e armës ka tentuar të bëjë pengmarrje, por nuk ia ka dalë. Më pas është izoluar në një nga qelitë duke kërcënuar se nëse dikush i afrohet, do ta qëllojë.

Pas krimit, Sokol Mjacaj nuk ka pranuar që të dorëzohet duke kërkuar siguri për jetë, deri në momentin që ka shkuar drejtori i Burgut të Peqinit. Më pas kanë nisur negociatat mes palëve. Sipas burimeve Mjacajt i janë  hedhur prangat brenda në qeli.

Ai ka lidhur me pranga njërën dorë dhe prangën tjetër e ka lidhur me hekurat e dritares. Më pas Sokol Mjacaj ka hedhur pistoletën me mulli që kishte në dorë.

Pasi ka larguar armën kanë hyrë policia e burgjeve, që kanë bërë arrestimin e tij. Sipas Ligjit brenda në burg nuk mund të ndërhyjë RENEA, por strukturat e specializuara në IEVP. Ende nuk dihet se si arma e krimit u fut brenda në burg.

Ditën e sotme pritej që Mjacaj të transferohej në regjimin “41biss”, si një person me rrezikshmëri të lartë.

Mjacaj është dënuar në 2015 me burg përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë në Dukagjin, si dhe më herët akuzohej për vrasjen e një fëmije 10-vjeç.

Kush është viktima?

Arben Lleshi ishte i dënuari që u ekzekutua sot nga Sokol Mjacaj brenda qelisë së tij në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Aty ai vuante dënimin përjetë për vrasjen e Agim Hoxhës dhe djegien e trupit të tij brenda një makine, ngjarje që ka ndodhur në vitin 2012 në Britaninë e Madhe.

Ishte pikërisht kjo ngjarje që nisi sagën e vrasjeve dhe eliminimeve në fisin Lleshi, pasi në vitin 2013 u ekzekutua me armë zjarri Xhavit Lleshi, xhaxhai i Arben Lleshit.

Më pas në vitin 2016 u vra Hajredin Lleshi në fshatin e lindjes në Burrel, i cili është vëllai i Xhavitit dhe xhaxhai tjetër i viktimës së sotme Arben Lleshi.

Ndërkohë në vitin 2017 u zhduk pa gjurmë Artan Lleshi, djali i Hajredinit, i cili nuk është gjendur sot e kësaj dite. Të njëjtin fat pati edhe Klevis Lleshi, i cili u zhduk në vitin 2020 dhe eshtrat e tij u gjetën në pronën e dajave të viktimës së shkaktuar nga Arben Lleshi në Angli, Agim Hoxha.

Me vrasjen e sotme të Arben Lleshit nga Sokol Mjacaj bilanci i vrasjeve në familjen Lleshi arrin në 4 të vrarë dhe një tjetër person që është zhdukur pa gjurmë.

Kush është i plagosuri?

Indrit Shaqja mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në burgun e Peqinit. Ai rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen makabre të dy kunatave në qytetin e Durrësit me qëllim grabitjen e tyre.

Përveç tij, me burg të përjetshëm u dënuan edhe Vilson Elmazi dhe Artur Kaçanolli. Indrit Shaqja i ekstraduar nga Spanja ka marrë përsipër krimin dhe ka thënë se Vilson Elmazi dhe nipi i të moshuarave Artur Kacanoli nuk kanë marrë pjesë në vrasjen e tyre. Më 2 shtator të vitit 2014, tre të dënuarit torturuan e vranë dy kunatat, Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç. Shaqja, nga Shijaku, Velson Elmazi nga Elbasani, kushëriri i tij dhe nipi i dy viktimave, Artur Kacanolli kanë marrë dënimin maksimal në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi mbarë opinionin publik.

Me një vit burg gjykata dënoi edhe bashkëshorten e Indrit Shaqjes, Valbonën, për fshehje të krimit. Për asnjë moment mbrojtësi i Artur Kacanollit nipit të të moshuarave, nuk pranoi akuzat e bëra nga prokuroria, duke sjellë në vëmendje prova e procesverbale që sipas tij nipi i të moshuarave nuk ishte në dijeni për krimin e kryer nga Indrit Shaqja dhe i pandehuri Elmazi. “Më datë 02.09.2014 rreth orës 06:20 është konstatuar fakti i vdekjes në banesën e tyre të shtetaseve Gjenovefa Vava dhe Elsa Vava. Vdekja e tyre ishte shkaktuar nga dhuna fizike e ushtruar mbi to e kombinuar kjo me asfiksinë mekanike.

Vdekja e tyre kishte ardhur si pasojë e veprimeve të kryera me qëllim vjedhjen e florinjve, parave dhe sendeve të tjera me vlerë të ndodhura në banesën e viktimave. Autorë të kësaj ngjarjeje janë evidentuar të pandehurit Indrit Shaqja, Velson Elmazi, Artur Kaçanolli, të cilët kanë bashkëpunuar secili në rolet e tyre për kryerjen e veprës penale.

Florinjtë dhe paratë e vjedhura, pasi janë marrë nga Indrit Shaqja e Velson Elmazi janë fshehur në shtëpinë e të pandehurit Shaqja, nga e pandehura tjetër Valbona Shaqja, e cila ka kryer veprime për t’i fshehur këto dhe më pas për dërgimin e tyre jashtë shtetit tek i pandehuri Indrit Shaqja”, thuhej në dosjen e prokurorisë, sipas së cilës, të dyja viktimat janë gjetur në dy dhoma të ndryshme të katit të dytë të banesës. Ato ishin me rroba gjumi dhe ishin të lidhura me qese ngjitëse skoç në gojë, në këmbë dhe në duar, edhe me çarçafë”, thuhet në vendimin e gjykatës.

BalkanWeb 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb