Informacione të reja kanë dalë në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Shkodër, ku një nënë së bashku me 3 fëmijët është hedhur në lumin Buna, pasi dyshohet se është dhunuar vazhdimisht nga bashkëshorti.
Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se është gjetur edhe fëmija i dytë në lumin Buna. Viktima e dytë e gjetur është vajza 8-vjeçare, ndërsa një ditë më parë u gjet trupi i 9-vjeçares. Ndërkaq, vijojnë kërkimet për trupin e nënës dhe djalit.
Ishte ministri i Brendshëm, Taulant Balla që njoftoi gjetjen e trupit të dytë.
Kujtojmë se Alma Arrazi së bashku me tre fëmijët kanë shkuar pranë urës së Bunës dhe aty dyshohet se janë hedhur në lumë.
Për pasojë, dyshohet se ata janë mbytur. Pas ngjarjes, është arrestuar bashkëshorti i saj, që është nën akuzë për dhunë në familje dhe shkaktim i vetëvrasjes.
(Balkanweb)