TIRANE
Për më shumë se dy orë e 30 minuta, Jani Kacifas, babai i Kostandinos Kacifas, që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA, në Bularat të Gjirokastrës dha dëshminë e tij përpara prokurorëve të Krimeve të Rënda. Ai mbërriti në dyert e institucionit të akuzës i shoqëruar nga një i afërm dhe një avokat, por asnjëri prej të dyve nuk mori pjesë në seancën e marrjes në pyetje të të moshuarit.
Jani Kacifas u thirr nga grupi hetimor ende pa varrosur të birin, trupi i pajetë i të cilit po mbahet në ruajtje në morgun e Tiranës, deri në përfundim të ekspertizës mjekoligjore, për faktin se për mediat greke ka pretenduar se djali i tij është vrarë nga një distancë e afërt. Burimet thanë se përpara prokurorëve, ai ka kërkuar të hidhet dritë mbi ngjarjen ku mbeti i vrarë djali i tij, ndërsa ka kërkuar t’i lejohet marrja e trupit e të bëjë vbarrimin. Lidhur me këtë kërkesë të tij, prokurorët ende nuk kanë marrë një vendim, pasi presin daljen e ekspertizës, për të cilën ka patur kundërshti.
Me qëllim që ekspertiza të përfundojë në një kohë sa më të shpejtë institucioni i akuzës thirri me urgjencë në mbledhje edhe drejtuesit e mjekësisë ligjore. Derisa mjekët ligjorë të përfundojnë procedurën e tyre, grupi hetimor është fokusuar në pyetjen e familjarëve të viktimës dhe lidhjeve shoqërore të tij.
Ndërsa, më herët ka sekuestruar pamjet filmike të operacionit në repartin RENEA për të hetuar nëse specialët e përfshirë në aksionin për kapjen e minoritarit grek që përfundoi me vrasjen e tij kanë vepruar ose jo në përputhje me ligjin. Nga na tjetër, mediat greke njoftuan se për cështjen Kacifas, në Shqipëri një efektiv i policisë greke, i cili nuk mund të marrë pjesë në hetime, c’ka do të thotë se lidhur me ngjarjen, gjithcka është në duart e autoriteteve shqiptare. Lidhur me hetimin penal të celur në Greqi, prokuroria shqiptare thotë se do t’i përgjigjet interesimit të institucioneve atje vetëm përmes letërporosive.
(BalkanWeb)