Nga ELTON DONO*


Pasi Tomi Misha doli nga makina, dy policët nisën të debatonin me të dhe e qëlluan me shpulla. Efektivi tjetër që iu gërvisht makina, u fut në mjetin e tij dhe po shikonte. Më vonë në lajme mora vesh që ai ishte nëndrejtori i policisë së Korçës, Arben Hyseni”.


Kështu pohoi dje dëshmitari okular i ngjarjes, ku 33-vjeçari Tomi Misha u dhunua nga dy efektivë policie, në prani të nëndrejtorit Arben Hyseni. Ngjarja në fjalë ndodhi mesditën e 20 shkurtit, ndërsa video u transmetua dhe në “News 24” dhe në rrjete sociale. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, i riu me inicialet D.L., (dëshmitari nuk ka pranuar të japë identitetin e plotë) rrëfeu detajet e ngjarjes që nga momenti që nisi debati.


Mund të na tregoni si ndodhi ngjarja që është transmetuar në rrjete sociale, ku përfshihen 2 efektivë duke rrahur të riun Misha?

Unë po kthehesha për në shtëpi rreth orës 14:15 të së premtes, pasi kisha pirë një kafe. Konflikti ishte mes policëve dhe 2 të rinjve. Personi tjetër mesa mora vesh unë është i vëllai i djalit që goditën policët. Pashë dy automjete që kishin parkuar anës rrugës, përballë bankës dhe po flisnin me njëri-tjetrin. Dëgjova dhe pashë gjithçka nga afër. Dëgjova djalin me kapuç, (Tomi Mishën) që i thoshte burrit me flokë të rëna, (efektivit të policisë) që ta linte të shkonte dhe i ka kërkuar falje, por burri tjetër nuk pranonte. Më pas dëgjova policin, që më vonë mësova se ishte nëndrejtori i policisë, Arben Hyseni, t’u telefononte kolegëve të tij me celular. Pak më vonë erdhi një patrullë policie dhe i thanë djalit (Tomi Mishës) të largonte makinën pak më përpara, që të mos bllokohej qarkullimi në rrugë. Ishin 3 policë, por më pas njëri prej tyre qëndroi në makinë.

Çfarë ndodhi më tej? Dëgjuat gjë nga debatet mes tyre?

Në një moment, njëri prej policëve të patrullës së policisë hyn në makinën “Benz” të të riut dhe pas pak del me nerva nga mjeti. Lexova dëshminë e njërit prej policëve që thoshte se e kishte goditur në makinë ai djali, por nuk është e vërtetë. Edhe djali me kapuç (Tomi Misha) doli nga makina pas pak. Në atë moment, filluan të debatojnë të dy policët me të dhe nisën ta qëllojnë me shpulla. Aty ishin dhe dy djem të tjerë, që m’u dukën si shokët e djalit të dhunuar, por ata nuk reaguan në asnjë moment. Efektivit tjetër që iu gërvisht makina, u fut në mjetin e tij dhe po shikonte.

Si vijoi ngjarja më tej?

Pashë që policët qëllonin vazhdimisht me shpulla djalin, i cili që në fillim e deri në fund në asnjë moment nuk ka kthyer dorë ndaj tyre. U kërkonte llogari herë pas here, pse e qëllojnë, por ata vazhdonin ta godisnin me shpulla. Pak më vonë erdhi edhe një djalë tjetër me xhup të kuq. Kjo është pjesa që nuk është transmetuar në televizione. Ai filloi t’u kërkonte llogari, se pse e qëllonin vëllain e tij, por policët nuk e përfillën fare. Ata vazhdonin të qëllonin të vëllain, ndaj ai goditi njërin prej policëve, 2 herë me grusht.

Po efektivi në makinë, nëndrejtori i policisë, çfarë po bënte në atë moment?

Pasi pa policin që u godit nga djali me xhup të kuq (vëllai i Tomi Mishës), doli t’i ndante dhe vuri pas makinës vëllain e Mishës. Kur u njoftuan patrulla të tjera për të ardhur në vendin e ngjarjes, vëllai i djalit të dhunuar u largua prej aty me shpejtësi. Ndonëse policia e ndoqi, nuk arritën ta kapnin.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)