SHKODËR

Bashkia e Shkodrës ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur pasditen e sotme në Pallatin e Sportit ku u thyen dyert dhe u morën materiale zgjedhore.

Bashkia e Shkodrës i quan vandalë personat në fjalë dhe veprim banditesk aktin, që sipas saj frymëzohet nga deklarimet e papërgjegjshme të qeveritarëve në Tiranë.

Bashkia i kërkon Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të zbardhë me shpejtësi këtë ngjarje të rëndë, dhunim jo vetëm të një prone të qeverisjes vendore por edhe të punonjësve të saj në detyrë funksionale.

DEKLARATË E BASHKISË SHKODËR PËR DHUNIMIN E NDËRTESËS SË PALLATIT TË SPORTIT SHKODËR
Bashkia e Shkodrës dënon dhe denoncon me forcë aktin e rëndë të dhunimit të ndërtesës së Pallatit të Sportit nga persona vandalë, të cilët janë përleshur me punonjës të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, të cilët së bashku janë përpjekur të ndalojnë këta dhunues të pronave të qytetarëve shkodranë.
Këta persona, kanë thyer tarabën e jashtme metalike dhe më pas kanë shpërthyer derën duke u futur në ambientet e brendshme. Ka qenë një veprim banditesk, i cili nga sa mund të kuptohet deri tani, frymëzohet edhe nga deklarimet e papërgjegjshme të qeveritarëve në Tiranë. Vandalët që kanë dhunuar ndërtesën, pasi janë futur brenda saj, kanë nxjerrë materiale të cilat duhet të gjenden dhe të rikthehen aty nga Policia e Shtetit, Prokuroria dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Bashkia Shkodër i kërkon Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të zbardhë me shpejtësi këtë ngjarje të rëndë, dhunim jo vetëm të një prone të qeverisjes vendore por edhe të punonjësve të saj në detyrë funksionale.
Nga ana e saj, Bashkia e Shkodrës ka ofruar të gjithë bashkëpunimin e duhur për gjetjen e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë një minutë e më parë. Për këtë, kemi vënë në dispozicion të gjitha regjistrimet kamerat e sigurisë në ambientet e ndërtesave në pronësi e administrim të saj.
Së fundi, theksojmë se jemi të vendosur të mbrojmë si deri më tani, të gjitha pronat e Bashkisë së Shkodrës përballë çdo individi apo institucioni që mund të përpiqet t’i dhunojë. I kërkojmë Policisë së Shtetit, të kryejë misionin e saj kushtetues të mbrojtjes së pronës, qetësisë dhe rendit si detyra kryesore me të cilën e ngarkon Kushtetuta dhe ligjet e vendit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb