TIRANE-Sipas Policisë, përplasja e përgjakshme me armë zjarri dje në Tiranë është pasojë e disa armiqësive të nisura prej më se një viti mes grupeve rivale në Shqipëri dhe jashtë saj. Kulmi i këtyre përplasjeve ka arritur në datën 6 prill 2015 kur në Roterdam të Holandës është vrarë shtetasi 33¬vjeçar nga Shqipëria, Ilirjan Sula. Viktima kishte përdorur edhe emrat Durim Sula, Durim Sulku dhe Besnik Sulku.

Ai qëndroi disa kohë në Holandë, por në 6 prill u qëllua me armë zjarri dhe mbeti i vdekur. Identifikimi i tij pas vrasjes u bë vetëm në datën 15 prill 2015 nga të afërmit. Viktima ishte në fakt vëllai i Besnik Sulkut, njërit prej personave të përfshirë ditën e djeshme në përplasjen me armë në Tiranë. Emigranti i ekzekutuar në Roterdam të Holandës në prill të këtij viti kishte përdorur madje për disa kohë emrin e vëllait të tij, që u vra dje në Tiranë, si një nga identitetet e tij.

Vëllai i Besnik Sulkut, Ilirjan Sulku, ndodhej me një automjet tip “Smart”, kur u qëllua nga dritarja anësore me plumb në kokë. Ekzekutimi mafioz mbeti pa autor, ndërkohë që policia arriti të gjente vetëm armën e krimit për vrasjen e ndodhur në Holandë, e cila sipas Policisë kishte lidhje me prishjen e pazareve të drogës. Vëllai i viktimës Besnik Sulku fajësonte Mentor Lufin, të cilin vendosi ta sulmonte me armë dje për hakmarrje. Mendohet se pjesë e këtij skenari përplasjesh ka qenë edhe atentati i mëparshëm që ishte bërë ndaj Mentor Lufit në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi”.

(a.n/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: