KAVAJË

Policia e Kavajës ka ndaluar një person të shpallur në kërkim pas ngjarjeve në KZAZ nr.42. Sipas të dhënave zyrtare, “Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, bazuar në prova filmike, raporte shërbimi dhe prova të tjera të grumbulluara në lidhje me aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe KZAZ-së nr. 42 Kavajë në protestën e datës 19 Qershor 2019, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit E. Gj., 26 vjeç, banues në Kavajë”.

Ai akuzohet për veprat penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, i mbetur në tentativë, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Ky shtetas sipas policisë, në datë 19.06.2019, gjatë zhvillimit të protestës para KZAZ nr. 42 Kavajë, duke tentuar të hyjë me forcë në ambientet e KZAZ-së ka qëlluar me sende të forta, mjete piroteknike dhe shishe molotov punonjësit e Policisë të dislokuar në shërbim pranë kësaj KZAZ-je.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar, të përfshirë në këto veprime të kundraligjshme. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb