TIRANE- Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela deklaroi dje përmes një statusi në “Facebook” se: “Frika e të korruptuarve po i bën ata qesharakë, sepse duan që frikën e tyre ta kalojnë me bllokimin e aplikimit të Reformës në Drejtësi.

“Dëgjuam atë që nuk e kishim dëgjuar kurrë: i ashtuquajturi kryetar i Partisë Demokratike, pasi e humbi betejën për të rrëzuar reformën, kërkoi që një mazhorancë prej 3/4 të vendeve në parlament, të ‘lërë qeverinë, për një qeveri teknike’. Krimi, pasi kryhet, mbart me vete frikën e vazhdueshme brenda autorit: ‘Vetë kjo frikë – na ka thënë Volteri – në fakt është ndëshkim’. E pra, këtë frikë kërkon të kalojë loloja i Saliut, domethënë Saliu”, – u shpreh Ngjela, pas deklaratës së një dite më parë të Lulzim Bashës. “Vobektësi mendore më të madhe se kjo nuk mund të gjesh në politikë! Një qeveri që ka fituar mbi 60% të elektoratit votues, që ka korrur sukses maksimal ndërkombëtar në Perëndim me votimin e reformës në drejtësi; që ka marrë mbështetje maksimale nga politika perëndimore ku kërkon të hyjë Shqipëria pas reformës, duhet të tërhiqet se nuk duan kundërshtarët e reformës Perëndimore në Shqipëri, të cilët e votuan këtë reformë nga frika. Pasi, nga injoranca e tyre, duke dalë kundër reformës, i dhanë qeverisë aktuale një kredit të madh në Perëndim, që ajo as e kishte menduar, i kërkojnë tani të tërhiqet. O Zot, ç’po na dëgjojnë veshët!”, – komentoi dje Ngjela.

“Sepse ja, ky është thelbi i asaj që po thonë: ‘ne e votuam reformën në drejtësi nga frika, por tani kemi frikë nga reforma në drejtësi se na ndëshkon si të korruptuar. Prandaj, duhet të rrëzojmë qeverinë aktuale, në mënyrë që të mos aplikohet reforma”. Mendje më fëminore nuk mund të gjesh”, – tha Ngjela.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: