Avokati Spartak Ngjela deklaroi në studion e News24 se ndërkombëtarët do të bëjnë shumë shpejt Reformën në Drejtësi, duke shtuar se do të goditen të gjithë politikanët që nuk pranojnë këtë reformë.
“Shpresa e vetme është Reforma në Drejtësi. I kam thënë Ramës më 2015, po nuk bëre Reformën në Drejtësi, do rrëzohesh. Të tjerët nuk e pranuan, ky po, ka ecur me vonë, por e pranoi. Tani nuk ndalon më Reforma në Drejtësi. Zgjedhjet nuk certifikohen nga ne, nga perëndimorët”, tha Ngjela.
Sa i takon përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, avokat Ngjela theksoi se këto përgjime janë publikuar nga Shërbimet Perëndimore.
“Përgjimet i kanë nxjerrë Shërbimet Perëndimore. Përgjegjësinë nëse do kalojë Rama në absolutizëm apo jo e ka Perëndimi tani. Nëse nuk do qeverisë brenda tempit perëndimor, do ketë punë me ta. Po doli kundër reformës, ata do ta godasin”, u shpreh avokati.
Çfarë do ndodhë me 13 tetorin?
Shkarkimi i Metës nga komisioni do të bëhet, edhe nga Parlamenti. Pastaj është problemi i Gjykatës Kushtetuese. Meta e ka rënduar shumë sipërfaqen e akullit. Këta i ka hedhur halli i tyre në këtë holl. Basha duhet të japë dorëheqjen dhe kjo ndihmon shumë PD. Të gjithë kanë dështuar, sepse i hynë një rruge të gabuar për interesin e vet. Për këtë duhet të japin dorëheqjen.
Opozita duhet të vërë lidership të ri pro-perëndimor. Këta u pozicionuan kundër Perëndimit. Gjithë Perëndimi po bëhet me PS, sepse opozita është në hulli anti-Perëndimore. Tani që dështuan, duhet të japin dorëheqjen. Kjo është vobegtësi mendore. Doni ta ndaloni absolutizmin e Ramës, ndërroni lidershipin e PD.
Situata nga nesër …
Situata nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, sepse këta e kanë pushtetin. Por, pas Reformës në Drejtësi duhet të vazhdojë reforma në pushtetin vendor, sic e kërkon Perëndimi. Krijimi i qarqeve të mëdha, Perëndimi ka parashikuar katër qarqe, me nga një President. Veriun e ka Shkodra, Tirana me Durrësin qarku i dytë, Elbasani me Korçën qarku i Tretë dhe pjesa tjetër qarku i katërt.
Pas kësaj reforme do bëhem zgjedhjet e reja, por jo me këtë qeveri, nuk do ta lënë ndërkombëtarët me një palë, do monitorojnë ata, deri sa të mos ketë asnjë kundërshtim për zgjedhjet. Opozita duhet të marrë masa për të rregulluar lidershipin.
Absolutizmi është në Parlament, kemi gabim në sistem. Perëndimorët do mbarojnë Reformën në Drejtësi, pastaj do vazhdojnë me atë që iu thashë. S’ka asnjë lloj surprize, arbitër kemi perëndimorët. Në Perëndim do shkohet sipas modelit të tyre, jo sipas kanunit.
Arrogancë nga PS?
Nuk e pranoj fjalimin e Ramës në Vlorë, ishte në pozitat e forcës. Një kryeministër e rrëzon vota, nëse është i bindur se njerëzit e votojnë, normal që do të sillet kështu. Ai nuk ka shpallur asnjë ide në parlament, vetëm korrupsion, vjedhje. Nuk është Parlament ai.
Kush po i monitoron zgjedhjet? Ndërkombëtarët. Njeriu duhet të jetë racional dhe racionaliteti vjen nga provat. Ndërkombëtarët ishin sot të gjithë në lëvizje, ku ka ndodhur kjo? Kjo ka ndodhur vetëm një herë më 1992, kur ambasadori amerikan shkonte në qendra votimi, sepse donte të rrëzonte komunizmin. Populli është pro-amerikan. Këtu po drejtojnë ata.
(BalkanWeb)