TIRANË- Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela ka komentuar situatën ekonomike në vend, ndërsa nuk ka kursyer kritikat ndaj kryeministrit Rama por edhe kryeministrave paraardhës, që sipas tij “sulen të gjithë që të ecin bashkë me parazitizmin”. Në faqen e tij të Facebook, Ngjela shkruan se e ardhmja do të jetë një krizë financiare dhe shtron pyetjes se “kur qeveritë do ta kuptojnë se pasuria e një kombi qëndron te sasia e punës së konsumuar.

“Pasuria e një kombi qëndron te sasia e punës së konsumuar. Gjendja e shoqërisë shqiptare duket e pashpresë. Shpresa e një shoqërie që është sistemuar në një shtet vjen nga largpamësia dhe brilanca e një qeverie. Ja kjo është arsyeja që shqiptarët presin më shpresë një brilancë qeverisëse, shkojnë në zgjedhje, dhe pastaj humbasin shpejt në pesimizmin që s’i lë më të shpresojnë. Sjellin një tjetër qeveri, dhe po prapë kështu… Kur pra do të shërohemi nga kjo sëmundje që lind gjithmonë mungesën e shpresës? Atëherë kur qeveritë që kanë ardhur për të qeverisur do ta kuptojnë se “pasuria e një kombi qëndron te sasia e punës së konsumuar”. Ky është sekreti, por a e kanë ditur në këta 22 vjet kryeministrat shqiptarë këtë? Asnjëri prej tyre, as edhe ky i sotmi. Prandaj sulen të gjithë që të ecin bashkë me parazitizmin”, thotë Ngjela.

Një nga njerëzit dikur të Partisë Demokratike dhe më pas pjesë e koalicionit me Partinë Socialiste, shprehet pesimist për situatën në të cilën ndodhet vendi, ku sipas tij qeveritarë e administratorë vjedhin arkën e shtetit dhe ku s’ka drejtësi dhe punë.

“Shqiptarët e Shqipërisë në këta 22 vjet kanë jetuar më të ardhurat e një pjese të punës që një milionë shqiptarë kanë kryer në Perëndim. Prandaj ka pasur kudo parazitizëm: kafene dhe qeveritarë e administratorë që marrin e marrin mita e ryshfete e tangjente, dhe vjedhin edhe arkën e shtetit me anë drejtorësh hajdutë në Tatime, Taksa e Dogana. E njëjta gjë gjithmonë. Pa drejtësi dhe pa punë: ky është realiteti shqiptar. Kurse Perëndimorët kërkojnë reforma. Natyrisht që kanë të drejtë: po kujt ia kërkojnë? Injorancës që ka ardhur për të vënë pará me anë të fuqisë së shtetit?”,- pyet Ngjela.

Kreu i PLD-së parashikon një të ardhme në krizë, dallga shpërthyese e së cilës po vjen ngadalë si një cunam.
“Po cila mund të jetë e ardhmja jonë e afërt? E ardhmja jonë e afërt do të jetë një krizë e përgjithshme financiare, sepse kjo qeveri nuk di të organizojë prodhimin, nuk di të vendosë drejtësinë, dhe, sigurisht që, për derisa nuk di t’i bëjë këto, edhe nëse ka pasur vullnet për t’i bërë gjërat, fakti që nuk di t’i bëjë, do të “mbretërojë” me klientelën e vet për të fituar pará. Por pará s’ka. Duhen gjetur patjetër! Normal. Por, pikërisht këtu e ka nisur fillesën e vet kriza që pritet. Dhe do ta kemi shume shpërthyese krizën që po vjen ngadalë si një cunam. Do të jetë një Dallgë e madhe”, shkruan avokati.

Në përfundim Ngjela paralajmëron kryeministrin “kujdes nga dallga financiare se do të jetë e madhe!” pasi nuk ka reformë në prodhim dhe tregu po varfërohet.
“Amerikanet e mëdhenj të financës na kanë thënë se “Dallgës duhet t’i përgjigjesh me Dallgë”. Ok. Në rregull. Po ku do ta gjejë Dallgën kryeministri aktual, te broçkullat, apo të reforma në prodhim? Nuk ka reformë në prodhim, dhe tregu po varfërohet. Kryeministër: Kujdes nga dallga financiare se do të jetë e madhe!… atë nuk do të mund ta ndalin dot as katër klerikë, dhe as tre lapsa më tre ngjyra të ndryshme…”, shkruan Spartak Ngjela.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: