TIRANË

Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, avokati Spartak Ngjela ka përgjigjen se çfarë do të ndodhë me kryeministrin Edi Rama pas varrosjes së temës për ndryshim kufijsh mes Kosovës e Serbisë dhe pas samitit të Berlinit.

Në një status në “Facebook”, Ngjela shkruan se politika amerikane nuk e ka pranuar asnjëherë Ramën dhe sipas tij, nëse e godet si bashkim me politikën serbe për aneksimin e territorit të Kosovës, ai merr fund për tre ditë.

Ngjela madje, dikur aleat i Ramës nuk e ka problem ta cilësojë si zgjedhë qeverisjen e tij.

POSTIMI I NGJELËS
Çfarë do të ndodhë tani me Ramën?
Nuk ka as më të voglin dyshim që Rama ka ndjekur idenë e presidentit të Serbisë Vuçiç dhe presidentit të Kosovës Thaçi, për copëtimin e territorit të Kosovës në favor të Serbisë.
Por, pyetja nuk bëhet më për Thaçin, se ai nuk ka më të ardhme në Kosovë; por çështja shtrohet për Ramën.
Politika amerikanë asnjëherë nuk e ka pranuar Edi Ramën. Natyrisht ky mospranim nuk ka qenë në një masë aq drastike sa mospranimi që politika amerikane i ka bërë Sali Berishës. Por, gjithsesi, edhe ky për Ramën ka qenë e mbetet një mospranim.
Po tani, pas goditjes që Rama mori në Berlin?
Tani politika amerikane po të dojë e varros Ramën bashkë me idenë e copëtimit të territorit të Kosovës, sepse tani dihet botërisht që ajo ka qenë një ide e presidentit të Serbisë, Vuçiç.
Nëse politika e lartë amerikane e godet Ramën hapur si bashkim me politikën serbe për aneksimit e territorit të Kosovës, Edi Rama merr fund për tri ditë.
Por, a do ta bëjë politika amerikane këtë?
Të shohim, se këtu ka një gjë: pas gjithë këtyre viteve mospranimi, politika amerikane e ka në dorë tani që ta dëbojë Edi Ramën përfundimisht nga politika shqiptare.
Tani që kundërshtari i politikës amerikane, Berisha, ka ikur, dhe jo pa meritë të politikës amerikane, a do t’ia heqë shqiptarëve Amerika edhe zgjedhën Rama?

Ngjela Fb
Ngjela Fb

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: