TIRANË- Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela pyet publikisht kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij lidhur me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit shtetëror.

Në një koment të publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, avokat Ngjela pyet nëse Rama do të luftojë krimin, apo të ta izolojë Shqipërinë ashtu siç bëri diktatori Enver Hoxha. Në komentin e tij Ngjela vlerëson rolin e ambasadorëve Donald Lu dhe Helmut Hofman për qëndrimet e mbajtur lidhur me krimin dhe korrupsionin në Shqipëri, ndërsa shprehet se ky fenomen duhet të luftohet ‘nga lart poshtë’.

Komenti i plotë i Spartak Ngjelës në “Facebook”

Pse nuk goditet krimi shtetëror në Shqipëri, kur këtë e kërkon poltika e lartë perëndimore? Gjendja jonë është e njëllojtë si në epokën antistaliniane, kur politika sovjetike i kërkonte Enver Hoxhës që të godiste stalinizmin në Shqipëri, si një fenomen kriminal. Por ky fenomen kriminal godiste atëhere drejtpërsëdrejti Enver Hoxhën, sepse ai kishte qenë drejtuersi direkt i krimit stalinian në Shqipërinë komuniste, dhe gjithmonë për interesin e tij personal të pushtetit pathologjik që e donte me çdo kusht.

Enver Hoxha nuk e pranoi këtë rrugë, pra nuk pranoi të përgjigjej qoftë dhe politikisht për krimet që kishte kryer; dhe e izoloi gjithë popullion shqiptar nga bota e zhvilluar. Pastaj të gjithë e dinë se çfarë ndodhi këtu. Gjendja është e njellojtë edhe sot: politika amerikane dhe politika gjermane, në ndihmë të Shqiparisë, i kërkojnë kryeministrit shqiptar që të luftojë korrupsionin dhe krimin shtetëror në Shqipëri. Çfarë do të bëjë ky kryeministër, a do ta luftojë fenomenin kriminal në Shqipëri, ashtu siç ia këkojnë partnerët e fuqishëm, apo do të izolojë Shqipërinë si Enver Hoxha?

Historia e shqipërisë ka afër 100 vjet që në funksion të zhvillimit të saj shoqëror dhe ekonomik, në funksion të mirëqenies dhe perspektivës perëndimore, është përplasur me sëmundjën e krimit që ka drejtuar vetë shtetin dhe ka bllokuar atë perspektivë. Kjo është edhe pikëpyetja e sotme – nga do të anojë kjo maxhorancë dhe ky kryeministër: nga krimi që do sjellë sigurisht izolimin e Shqipërisë dhe Shqiptarëve, apo do të veprojë në mënyrë drastikë kundër krimit shtetëror? Shenjat janë që asgjë nuk do të bëjnë dot.

Por Shqipërinë nuk ka zot ta izolojë më, dhe shqiptarët po humbasin kohë historike në zhvillimin e tyre perëndimor, se kryeministri që zgjodhën në qershor të vitit 2013, nuk dëshiron të bëjë reformën antikriminale në Shqipëri. Dhe vjen vërdallë me nonsense që të fitojë kohë. E çfarë kohe do të fitojë ky? Pytja që ngrihet sot është kjo: do të luftohet fenomeni kriminal shtëtëror sot në Shqipëri nga lart, apo kjo do të bëhet nga vetë populli nga poshte? Kjo është pyetja që ngrihet sot para maxhorancës aktuale. A do t’i drejtohet popullit për ndihmë nëse korrupsioni është më i fortë në këtë pushtet, apo do të mbetet inerte për të fituar kohë në një vegjetim pa sens?

Enver Hoxha u zvarrit katër vjet me pantallona nëpër këmbë, iki sot e iki nësër, gjersa gjeti më në fund Mao Ce Dunin që e mbajti për dymbëdhjetë vjet. Po ky kryeministër, dhe kjo maxhorancë, çfarë presin, mos ndoshta presin edhe këta një Mao modern që t’i mbajë në mbijetesën e krimit dhe të korrupsionit në Shqipëri, ashtu si edhe mbijetesa e krrimit stalinian në vititet 1956­1960? Enver Hoxha ishte atehere figura kryesore e krimit Stalinian në Shqipëri; por, mos ndoshta jemi sërish përpara një kërkese si ajo e vitit 1956, që iu drejtua Enver Hoxhës?

Dy amabasadorë të angazhuar fort në vendosjen e moralitetit dhe demokracisë moderne në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu dhe amabasadori gjerman Hellmut Hoffmann, janë sot në ballë të kësaj luftë morale për shqiptarët. Është gje e madhe. Nuk më mbetet vecse t’i falenderoj për këtë ndihmë të madhe që po i japin zhvillimit shqiptar perëndimor dhe demokratik. Te dy amabasadorët dhe bashkë me ta, edhe politika amerikanë, edhe politika gjermane, janë sot me popullin shqiptar. Me kë është sot kryeministri shqiptar dhe kjo maxhorancë? Kjo është pyetja që ngre sot çdo shqiptar i ndershëm që e do vendin e tij.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: