TIRANË

Avokati dhe kreu i PLD Spartak Ngjela ka folur në studion e News24 për reformën në drejtësi dhe institucionet e reja të drejtësisë. Ashtu si edhe herë të tjera, Ngjela ka shprehur besim tek institucionet e drejtësisë. Ai vë në themel të problemeve në drejtësi korrupsionin.

“Kushtetuta nuk është e jona. Nuk është e askujt. Asnjë shtet nuk mund të ketë një Kushtetutë të atillë. Është një Kushtetutë kundër krimit, reformuese. Është miratuar me dhunë, të dyja krahët nuk e kanë dashur, pavarësisht se kryeministri bërtiste. Ne e dimë që ishte projekt gjermano-amerikan. Të vijmë tek SPAK, shqiptarët nuk kanë asgjë në dorë. Edhe ata që shpëtojnë, me sa kam vënë re janë rrëzuar në apel.
Drejtësia kur është drejtësi e vërtetë ka ngërçet e veta. Edhe mbrojtja ka hapësirën e mirë kur ti e di që nuk shkelet ligji. Po këta, gjyqtarët janë mbrojtur në mënyrë fëmijërore. Konstatoj se ata nuk kanë vlera logjike. Njëri thotë i fitova në bixhoz, tjetri thotë m’i dhanë në dasmë. Nuk është se i kanë thënë tani por kur i kanë deklaruar, i kanë shkruar kështu. Të gjithë kanë qenë në korrupsion dhe ata që i kanë pranuar në atë moment. Korrupsioni ka qenë universal, nuk ka qenë në një pikë.
Këto që kanë deklaruar i morën ndërkombëtarët në dorë dhe ranë të gjithë. Të gjitha këto lloje mbrojtjesh i kanë bërë me korrupsionin. Mi ka dhënë gjyshja thoshte, gjyshja jetonte në kasolle”, u shpreh Ngjela.

Ai u shpreh se politika është e mërzitur për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme.
“Reforma e gjyqtarëve po shkon. Këtu politika nuk është e mërzitur me vettingun, është e mërzitur me Prokurorinë e Posaçme. Të gjithë këta lider nuk i ka prokuroria e thjeshtë por prokuroria e posaçme. Ne nuk e dimë se kush do jetë prokuroria e posaçme.
Por me gjithë këto defekte duhet të shohim do dalim dot nga korrupsioni. Unë kam shpresë që do dalim sepse e kam ndjekur hap pas hapi reformën dhe jam i bindur se është ndërmarrje shumë serioze”, tha ai.

Në lidhje me protestën e opozitës, Ngjela tha se nuk dihet se çfarë kërkohet me të. Sipas tij qëllimi i opozitës nuk është të marrë pushtetin por të bllokojë reformën.
“Nuk e dimë çdo të dalë nga kjo protestë. Po të mos jetë e dhunshme, duhet të jetë masive. Ose duhet të qëndrojë me ditë. Por nëse do duan të qëndrojnë me ditë, duhet të jenë nga Tirana. Por ju e dini si është Tirana, menefrego.
Çështja ngrihet çfarë kërkojnë? I keni dëgjuar. Nuk kanë asnjë aspiratë për të marrë pushtetin por duhet të bllokojnë reformën. Fatkeqësia është se krerët e vetë janë të akuzuar dhe duan të shpëtojnë”, u shpreh Ngjela.

Për sa i përket investigimeve të Zërit të Amerikës, Ngjela risolli në kujtesë shkrimet ndaj Berishës në 96.
“Zëri i Amerikës goditi dhe Berishën dhe e goditi tek votat. Kështu ai nuk ta njeh pushtetin. Siç bëri në Venezuelë, rasti i fundit, siç bëri dhe me Berishën në 96. Këta humbasin ekuilibrin dhe nuk kanë aftësi ta kuptojnë se ai nuk toleron tek zgjedhjet”, tha Ngjela.

Ndërsa për Kosovën, avokati tha se Uashingtoni nuk është shumë i interesuar për zgjidhjen e çështjes siç thonë këta. “Uashingtoni e ka mbyllur. Po të dojë Uashingtoni Kosova hyn dhe në OKB. Po të vendosë forcën e bën menjëherë. Më bën përshtypje fjala e Presidentit amerikan që i tha keni mendjen se do humbni më keq. Se ai e di që që tokat e shqiptarëve mbarojnë në Nish”, u shpreh ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: