DURRES– Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka qetësuar fermerët që kanë ngritur shqetësime gjatë ditëve të fundit, për prodhimet që u janë dëmtuar si pasojë e ngricave të papritura në muajin prill.

Teksa është ndalur tek problematikat e zhvillimit të pemëtarisë në vend, Panariti ka theksuar se Ministria e Bujqësisë do të bëjë dëmshpërblimin e fermerëve të prekur nga ngricat e ditëve të fundit.

Ai shtoi se institucioni që ai drejton është duke u punuar për të gjetur një zgjidhje konkrete për këtë çështje.

“Për t’u dhënë një sinjal për të gjithë ata fermerë që u prekën nga fatkeqësitë natyrore, nga ngricat, unë do të bëj ç’është e mundur për të lehtësuar sado pak dëmet nga këto fatkeqësi natyrore duke u ardhur atyre në ndihmë, duke u mbuluar të paktën koston e prodhimit, dhe njëkohësisht për ta vendosur këtë çështje në një zgjidhje të qëndrueshme që janë sigurimet në bujqësi. Pra unë kam filluar të negocioj me dy kompani të mëdha sigurimi të cilët do të marrin përsipër sigurimin e sipërmarrjeve, veçanërisht pemishteve që janë të ekspozuar ndaj faktorëve atmosferikë, në mënyrë që ne të përballojmë fatkeqësitë natyrore që për fat të keq bujqësia i përjeton në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha ministri Panariti.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: