TIRANË

Kur na ndajnë edhe dy ditë nga protesta e opozitës së bashkuar në Tiranë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zgjedhur përmes një videoje të ftojë qytetarët, që t’i bashkohen “vrullit” opozitar.



“Qeveria na ka tradhtuar, por ne nuk i braktisim fëmijët tanë, ndaj protestojmë. Qeveria na ka dhunuar e rrahur, por ne jemi ende të fortë dhe me kurajë, ndaj protestojmë. Qeveria na ka vjedhur e varfëruar, por ne kemi ende shpresa dhe ëndrra, ndaj protestojmë. Qeveria na ka shpërfillur e harruar, por ne e kemi fatin në dorën tonë, ndaj jemi ngritur të gjithë në këmbë”, thuhet mes tjerash në mesazhin  e PD-së, drejtuar qytetarëve shqiptarë për protestën e 16 marsit në orën 11:00 para Kryeministrisë.


Pas djegieve të mandateve, opozita ka kërkuar zgjedhje të parakohshme si e vetmja formë dhe formulë për të zgjidhur problemin dhe ngërçin e krijuar.

“Këtë të shtunë me 16 Mars ora 11:00 të gjithë në këmbë! Për të drejtat tona, për mirëqenien tonë, për të ardhmen tonë! #ShqipëriaSiEuropa #16mars”, shkruan Basha.

(n.m/BalkanWeb)