Ndonëse janë intervistuar mbi 90 persona dhe janë ekzaminuar qindra prova, organet e e drejtësisë ende nuk kanë asnjë të dyshuar për vrasjen e dy viteve më parë në Rahovec të ish-kandidatit për deputet të PDK-së, Elvis Pista. Kallëzimi penal i Policisë i dorëzuar në Prokurorinë e Gjakovës është kundër personave të panjohur.

Departamenti i Krimeve të Rënda i Policisë në Prishtinë ka dorëzuar Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore të Gjakovës ndaj personave të panjohur në lidhje me vrasjen e Elvis Pistës. Pista është vrarë dy vjet më parë në oborrin e një restoranti në Rahovec.

Ushtruesi i detyrës i kryeprokurorit të Gjakovës, Ali Selimaj, thotë se ndonëse janë intervistuar mbi 90 persona dhe janë ekzaminuar qindra prova, ende nuk është identifikuar personi që vrau Elvis Pistën. “Janë intervistuar mbi 90 dëshmitarë në rastin Pista për këto vite, janë ekzaminuar me dhjetëra prova, edhe në botën e jashtme, janë ekzaminuar me qindra prova materiale, mirëpo fatkeqësisht nuk ka rezultuar me ndonjë dyshim të arsyeshëm ndaj ndonjë personi apo personave të caktuar”, tha Selimaj.

Më tej Selimaj sqaron për KALLXO.com se me të marrë rolin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Gjakovës, lëndën në fjalë ia ka kthyer prokurorit Ali Uka, i cili kishte punuar fillimisht në këto hetime dhe duke kërkuar sqarime nga Departamenti i Krimeve të Rënda të Policisë në Prishtinë për të pranuar më pas një kallëzim penal ndaj personave të paidentifikuar.

“E kanë sjellë kallëzimin penal me të gjitha shkresat e lëndës por fatkeqësisht kallëzimi penal është ndaj personave të panjohur. Policia nuk ka arritur të zbulojë kryesit eventualë dhe për këtë periudhë kohe dy-vjeçare të gjithë atë veprimtari hetimore të cilën e kanë zhvilluar e kanë përmbledhë në atë kallëzim penal të cilin me datën 8 qershor e kanë sjellë në këtë Prokurori”, theksoi Selimaj.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit thotë se do të ishte njeriu më i lumtur nëse do të arrijë të zbulojë autorët e kësaj vrasjeje. “Sa është dhimbja, sa është malli për familjen, aq është barrë e madhe e dëshirë për ta zbuluar kryesin për ne organet e ndjekjes, si për policinë veçanërisht për prokurorinë”, shtoi ai. Elvis Pista u vra më 15 qershor 2014 pasi doli nga restoranti “Jaha Petrol” në Rahovec, ku po qëndronte bashkë me gruan dhe disa miq. Policia atëherë njoftoi se Pista u qëllua me 4 plumba nga një armë me silenciator.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: