Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi ka folur për News24 duke treguar detaje nga puna për ngritjen e SPAK, ose Prokurorisë së Posaçme.

Në një intervistë për gazetaren Klodiana Lala, në nisje të sezonit të ri të punës, Ibrahimi tha se ngritja e SPAK është pranë finalizimit dhe se në garë janë 15 kandidatë por se do diskutohet nëse SPAK mund të ngrihet me një numër minimal anëtarësh, vendim që do merret nga Këshilli.

“Ne sot nisim sezonin e ri të punës të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Padyshim që në fillim të këtij sezoni shpresojmë të finalizojmë procesin afatgjatë të ndërtimit të Prokurorisë së Posaçme. Ne në këtë moment, nga ai grup prej 15 prokurorësh që kemi përzgjedhur si kandidatë për në SPAK presim verifikimin e kushtit të fundit që është kalimi prej tyre i procesit të vettingut. 5 prej tyre e kanë kaluar plotësisht dhe mund të emërohen çdo çast nga ana jonë, sidoqoftë ne presim një numër të arsyeshëm. Se çfarë është ky numër i arsyeshëm do të jetë vendim i Këshillit”, deklaroi Ibrahimi.

Ai tha se Këshilli do të mblidhet, do të gjykojë se çfarë është një numër i arsyeshëm. “Ne kemi një indikacion në Kushtetutë që flet për një numër prej 10 prokurorësh, ne dhe më herët kemi diskutuar që numri mund të jetë dhe më i pakët. Në marrjen e këtij vendimi, Këshilli do të thellohet duke parë ngarkesën aktuale të prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ngarkesën e pritshme të prokurorëve të SPAK. Ne kemi statistika të sakta për këtë, duke pasur parasysh portofolin e veprave penale që do të hetojnë prokurorët e SPAK-ut, portofolin e veprave penale që hetojnë prokurorët e Krimeve të Rënda, pra do të bëjmë një llogari të bazuar në shifra. Pra do të bëjmë një llogari të bazuar në shifra, për të dalë me një vendim se cili do të jetë numri optimal për ta nisur SPAK-un. Padyshim që pastaj që në muajt në vijim e në vitet në vijim, struktura do të plotësohet me prokurorë të tjerë por vendimi për fillimin do t’i mbetet Këshillit, bazuar në këto të dhëna që ne disponojmë”, theksoi Ibrahimi.

Për sa i përket afateve se mund të mblidhet KLP për të diskutuar për SPAK-un e për të marrë një vendim lidhur qoftë dhe me një numër minimal, Ibrahimi tha se kjo mund të ndodhë brenda 2-3 javësh.
“Padyshim që ne e ndiejmë peshën e përgjegjësisë dhe nevojën urgjente për të ecur përpara me ndërtimin e institucioneve të reja. Ka një vonesë të përgjithshme që lidhet me komleksitetin e reformës dhe me procedurat ekzigjente që parashikon ajo për përzgjedhjen e kandidatëve për këto pozicione kyçe por besoj që jemi afër finishit. Në kuptimin që 10 kandidatë për SPAK janë drejt finalizimit, 5 e kanë finalizuar garën, 5 të tjerë janë në një fazë të avancuar kështu që unë mendoj që për momentin ne do të jemi ende në pritje për 2-3 javë. Në pritje të ecurisë së procesit të vettingut kur një grup prej 7-8-9-10 kandidatësh nga ky grup prej 15 kandidatësh të përzgjedhur prej nesh ta kalojnë vettingun, besoj që Këshilli do të mblidhet posaçërisht për të vendosur krijimin e Prokurorisë së Posaçme”, deklaroi ai.

I pyetur se nëse nga këta 5 kandidatë që kanë kaluar vettingun mund të ketë një akt individual për secilin prej tyre nga ana e Këshillit për t’i emëruar dhe ngritur në detyrë në strukturën e posaçme, kreu i KLP konfirmoi.
“Po padyshim, ne mund t’i emërojmë secilin prej atyre të pestëve që e kanë përfunduar procesin e vettingut që sot por kjo do të ishte jo inteligjente duke pasur parasysh vëllimin e punës që i pret ata. Duhet bërë një llogari e tillë që prokurorët e rinj të Prokurorisë së Posaçme të kenë një ngarkesë të arsyeshme pune. Pra, vetëm 5 prokurorë janë tepër pak për të përballuar ngarkesën e pritshme të Prokurorisë së re”, theksoi Ibrahimi.
Mungesën e dorëheqjeve të prokurorëve para vettingut, kreu i KLP e sheh si një shenjë të mirë.
“Ne nuk e kemi bërë ndonjëherë këtë llogari se sa dorëheqje do të kishte, ajo është çështje individuale e secilit. Unë besoj që për prokurorët, për magjistratët në përgjithësi procesi i vettingut është një shans i mirë për të konfirmuar integritetin e tyre, kështu që në këtë kuptim dorëheqjen nuk janë një shenjë e mirë. Është shenjë pozitive që nuk ka pasur shumë të tilla”, u shpreh ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb