Me çfarë lojtarësh do të luajë Kroacia ndaj Islandës, me titullarët apo zëvendësuesit? Kjo është pyetja që bëjnë në kampin e Argjentinës por edhe të Nigerisë, dy skuadrat të cilat përveç ndeshjes mes tyre, duhet të kenë mendjen edhe të dueli mes dy skuadrave europiane në grup. Mesfushori i Nigerisë, Obi Mikel, i ka kërkuar Kroacisë që të luajë me titullarët. Por ish-trajneri i Spanjës, Havier Klemente nuk ka vonuar t’i kujtojë atij se pikërisht kombëtarja afrikane nuk kishte gojë të kërkonte asgjë. “Sa të papritura ka jeta. Obi Mikel, nga Nigeria, i kërkon Kroacisë sportivitet dhe që të luajë me titullarët. Nigeria, në vitin 1998 luajti me zëvendësuesit kundër Paraguajit dhe humbi. Spanja përfundoi në shtëpi. Atë ditë me sa duket, sportiviteti nuk ishte i rëndësishëm”, ishin fjalët e tij në Twitter. Trajneri i kujtoi 24 qershorin e vitit 1998, kur Nigeria u përball me Paraguajin në ndeshjen e fundit në grup. Meqë ishte e kualifikuar, ajo luajti me ekipin e dytë dhe Paraguaji fitoi pa vështirësi 3-1, duke lënë Spanjën jashtë Botërorit. Klemente ishte trajneri i asaj përfaqësueseje që u cilësua si një nga zhgënjimet më të mëdha të Botërorit.(o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb