BEOGRAD- Në konferencën e përbashkët të shtypit mes presidentit serb, Tomislav Nikoliç dhe homologut të tij maqedonas, Gjorge Ivanov, kreu i shtetit serb deklaroi se nëse zbulohet ndokush që kërkon destabilizimin e Ballkanit, atëhere ai duhet të dalë menjëherë para gjykatës.

“Ne në Ballkan… nuk duhet t’i prishim marrëdhëniet me njëri-tjetrin, marrëdhënie që i ndërtojmë vetë, me ngadalë dhe me kujdes. Nuk duhet që një vend të shkatërrohet nga lufta dhe më pas të krijohen marrëdhënie të mira”, tha Nikoliç.

Presidenti serb shtoi se kjo çështje si edhe ajo e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës janë çështje të ndjeshme dhe se kushdo që luan me marrëdhëniet në Ballkan, luan me jetët e popujve që jetojnë në Ballkan.

“Serbia nuk është nxitëse e destabilitetit, Serbia ndoshta vuan pasojat e krijimit të destabilitetit. Me Hungarinë kemi vendosur miqësi të qëndrueshme, pas gjitha krimeve të kryera, me Slloveninë nuk kemi ndonjë problem, BH-në e mbështesim, nëse mund dhe dëshiron të funksionojë, me Republikën Sërpska kemi të drejtë dhe obligim që të mbajmë marrëdhënie të veçanta, Malit të Zi nuk i ndërhyjmë në problemet e brendshme, me Maqedoninë angazhohemi që të zhvillojmë marrëdhënie sa më të mira, nuk e di kujt i pengon një Serbi e tillë”, tha Nikoliç.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: