BEOGRAD- Presidenti serb, Tomislav Nikoliç, pas takimit me ambasadorin e Gjermanisë, Heinz Wilhelm, tha se hyrja e Serbisë në BE është çështje mbijetese, por qytetarët e Serbisë më parë do të të pranonin të jetonin në varfëri, se sa dikush në emër të tyre ta njohë Kosovën si shtet i pavarur.
“Serbia është e përkushtuar për stabilizim dhe paqe në rajon”, tha Nikoliç dhe vuri në dukje se, bisedimet me Prishtinën janë ngritur në një nivel më të lartë duke u bazuar në një platformë që ishte bazë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit.

Presidenti serb theksoi se ishte goditur nga pohimi i ambasadorit gjerman në një tabloid, e cila ishte në kundërshtim me deklaratat e tija në ditët e fundit.

“Ndoshta ka pasur ndonjë keqkuptim, për shkak të mungesës së komunikimit dhe kam qenë shumë i habitur, pasi që ai është shumë i moderuar në deklaratat e tija”, shtoi Nikoliç.

“Keni të drejtë që Serbisë në këtë kohë askush nuk po ia kërkon njohjen e Kosovës, por në këto flluska politike, por pak nga pak ne po bëjmë gjëra që do të dërgojnë deri tek një njohje de facto. Unë nuk i tregoj popullit përralla, por ia them të vërtetën”, nënvizoi presidenti i Serbisë.

Nikoliç pohoi se hyrja e Serbisë në BE është çështje mbijetese, por qytetarët serb më parë do të të pranonin të jetonin në varfëri, se sa dikush në emër të tyre ta njeh Kosovën si shtet të pavarur.

“Pyetja është se pse Bashkimi Evropian si kusht për hyrje e sheh si të nevojshme nënshkrimin e një marrëveshje detyruese me Kosovën, nëse jo për njohje. Nëse ne do të nënshkruajmë këtë kontratë me një shtet të pavarur ose vend me autonomi substanciale, çfarë do të ndodh nëse Prishtina nuk do të bie dakord?”, pyeti me këtë rast Nikoliç.

Ambasadori gjerman u befasua me fjalët e Nikoliç.

“Çfarëdo që të kem thënë sa i përket asaj që ju deklaroni, me gjasë është keqinterpretuar”, citohet të ketë thënë Wilhelm.

Mes tjerash, ambasadori theksoi se deklarata e tij nuk u prit mirë as në Kosovë, pasi që ai ka thënë se Gjermania nuk do e kërkojë njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Ne po flasim për një normalizim të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe të gjithë kanë interpretimet e tyre se çfarë do të thotë normalizim. Është e rëndësishme që të gjejmë një zgjidhje të mirë për jetën fqinjësore, por nuk e di se si do të duhet të duket kjo zgjidhje”, tha Wilhem.

Ambasadori gjerman komentoi edhe faktin se njohja e Kosovës do të ishte kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.

“Në këtë kohë nuk është kusht, por kush e di se çfarë do të ndodhë pas 10 apo 15 vitesh”, përfundoi Wilhem.
(ma.ar/tg/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: