NGA ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANË- Në fillim të muajit nëntor, 17 mijë arsimtarë në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës do t’i nënshtrohen një testimi, i cili do të pasqyrojë nevojat që ata kanë për t’u kualifikuar. Ditën e djeshme, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, si dhe drejtoresha e Arsimit Parauniversitar në MAS, Zamira Gjini, kanë zhvilluar një takim me drejtuesit e shkollave të kryeqytet dhe me mësues në lidhje me qëllimin e kësaj iniciative dhe mënyrën se si ajo do të realizohet.

Pjesë e këtij testimi (instrumenti) do të jenë të gjithë mësuesit dhe drejtuesit e institucioneve arsimore parauniversitare që janë në marrëdhënie pune, me përjashtim të mësuesve që kanë mbi 20 vite eksperiencë pune dhe kanë marrë kualifikimin e kategorisë I, “Mësues Mjeshtër”. Kjo gjë nuk është e përcaktuar në udhëzimin nr.42, por u deklarua dje nga ministrja Nikolla. Ndër të tjera, ajo ka theksuar se, asnjë mësuesi nuk i rrezikohet vendi i punës, pavarësisht pikëve që do të marrë në këtë provim.

Vleresimi
Drejtuesit dhe mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës ditën e djeshme u njohën me procedurat se si do të zhvillohet testimi për identifikimin e nevojave për zhvillimin profesional të arsimtarëve.

Ky proces do fillojë nga Drejtoria Arsimore Tiranë. Sipas të dhënave nga MAS, janë rreth 17.000 mësues të cilët do të marrin pjesë në testim, duke përjashtuar rreth 3 mijë mësues që kanë arritur shkallën I të kualifikimit, pra kanë mbi 20 vite eksperiencë pune. Testimi do të zhvillohet në 6 qendra vlerësimi, që janë pjesë e shkollave-pilot të klasave inteligjente, me tableta, si: gjimnazi “Partizani”, “Ismail Qemali”, “Petro Nini”, “Sami Frashëri”, “A. Z. Çajupi” dhe “Sinan Tafaj”. Testimi do të zhvillohet online, me disa turne, në klasa me maksimumi 20 mësues.

Instrumenti (testi) përmban 30 kërkesa me alternativa, të cilat fokusohen kryesisht në situata nga konteksti real i shkollës, pavarësisht profilit apo ciklit ku mësuesi jep mësim. Instrumenti zhvillohet për 60 minuta dhe, duke qenë se është në formë dixhitale, për-gjigjen mësuesit e marrin menjëherë pasi përfundojnë plotësimin e 30 pyetjeve. Fushat në të cilat do fokusohet ndërtimi i strukturës së këtij testi (instrumenti) janë 4: planifikimi, aspekte metodike-pedagogjike, stili i komunikimit dhe etikës së përdorur nga punonjësit arsimorë si edhe përgatitja shkencore e mësuesve dhe zhvillimi i tyre profesional.

Ministrja Nikolla theksoi se ky proces nuk do të nxjerrë asnjë mësues nga sistemi, por do t’i japë fund informalitetit të procedurave për trajnimin e mësuesve. Pasi deri më tani, mësuesit kanë blerë kredite nga 51 agjenci të ndryshme, një pjesë e të cilave nuk kanë bërë transparente programet e tyre. “Nuk rrezikohet puna e asnjë mësuesi. Do orientohet trajnimi i secilit mësues sipas pikëve që do marrin në këtë testim. Ka pasur raste kur mësuesit, për të marrë disa kredite i është dashur thjesht të paguajë disa para te këto agjenci, pa marrë kurrfarë trajnimi. Ne do të zhbëjmë këtë treg informaliteti, duke e kthyer të gjithë këtë proces mbi baza të vërteta shkencore”, – tha Nikolla.

Sa u përket kategorive që do hyjnë në testim, ministrja ka theksuar se, me përjashtim të atyre mësuesve që kanë mbi 20 vite punë, të gjithë të tjerët, përfshi edhe drejtorët e shkollave, do të jenë pjesë e këtij procesi. “Do futen të gjithë mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, me përjashtim të atyre që kanë mbi 20 vite pune. Drejtuesit e shkollave, pavarësisht pozicionit të punës, në radhë të parë janë mësues, ndaj do jenë pjesë e këtij instrumenti vlerësimi”, – sqaroi ministrja e Arsimit, Nikolla.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb