TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video për të thënë ‘mirëmëngjes’ sot ku Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla prezanton tekstet e reja me të cilat do të mësojnë 400 mijë nxënës këtë vit. Nikolla hedh një vështrim nga e kaluara, tek reforma e alterteksteve me 1310 tekste, deri në 11 alternativa për një lëndë, me shumë ankesa e gabime.

“Alterteksti prodhoi 1310 tekste, një kaos i vërtetë, korrupsion dhe gabime të panumërta në sistemin tonë arsimor. Tekste që ishin në duart e fëmijëve tanë duke kapur dhe numrin e 11 alternativave për një lëndë. Mësuesit, prindërit denonconin gabimet. Nxënësit ankoheshin për mbingarkesën dhe moskuptimin e atyre që lexonin. Media po ashtu denonconin kaosin por nuk kishte as vesh për të dëgjuar, as sy për të parë dhe as zemër për të vepruar për ata që janë drita e syrit e çdo familje shqiptare, fëmijët”, shprehet Nikolla.

Ajo thotë se kaosit qeveria iu ëprgjigj duke punuar në dy linja, së pari mësuesit refuzuan 600 tekste dhe më pas u pastruan nga gabimet tekstet e mbetura. mësojnë me tekste të reja të standardeve ndërkombëtare
Sot sipas saj, tekstet janë të standardeve ndërkombëtare, me të cilat mësojnë fëmijët në të gjithë botën.

“Këtij kaosi ne ju përgjigjëm duke punuar paralelisht në dy linja.
Ftuam mësuesit që me vetting të fshehtë refuzuan 600 tekste, pothuajse 50% të gjithë teksteve të prodhuara nga reforma e alterteksteve. Pastruam tekstet me gabimet më të rëndë dhe filluam reformën e re të teksteve me standardet më të mira të fëmijëve tanë.
Këto janë tekstet e reja nga klasa e parë deri në klasën e 12-të të gjimnazit. Teste të standardeve ndërkombëtare. Të gjitha lëndët e shkencave u përkthyen dhe u përshtatën. Janë tekstet me të cilat studiojnë edhe bashkëmoshatarët e fëmijëve tanë kudo në botë. Të lehtësuara por edhe të pajisura me CD-në për të punuar edhe me mjete alternative”, deklaron Nikolla.

Ajo sqaron më tej se para se tekstet të futen në katalog dhe të licencohen, kalojnë vitin e provës pothuajse 9 muaj të plotë nga mësuesit e Shqipërisë të cilët pyeten sërish për të parë nëse ka kaluar diku ndonjë gabim i vogël dhe që kthehet në detyrim për t’u respektuar nga botuesit në mënyrë që teksti të jetë përfundimisht i licencuar dhe i futur në katalogun e teksteve. “Është një ndryshim i madh sepse vëmendja e kësaj qeverie është tërësisht tek fëmijë, tekstet që zgjidheshin përmes korrupsionit dhe në konflikt të pastër interesi padyshim nuk bën atë që është motivi kryesor i shkollës, edukimi dhe cilësia e dijes për t’u përshtatur nesër si qytetar të suksesshëm në një shoqëri që integrohet në Bashkimin Evropian”, përfundon ministrja e Arsimit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb