TIRANE

Në një tjetër dalje për mediat ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u ka dhënë të drejtë studentëve, të cilët protestojnë kundër tarifave të studimit dhe jo vetëm. E ftuar në emisionin ‘Open’ me Eni Vasilin, Nikolla tha se studentët duhet të dëgjohen gjithmonë.

“Kanë të drejtë studentët, kanë gjithmonë të drejtë dhe meritojnë që të dëgjohen. Që të jem e drejtpërdrejtë si dhe e sinqertë. Ka qenë një shqetësim në aspektin personal. Nga ana tjetër është një moment shumë i mirë në kuptimin e plotë të fjalës që arritëm në një moment që studentët të reflektojnë nëpërmjet një komunikimi serioz dhe është një moment i ri për të modernizuar institucionet e Arsimit të Lartë. Zëri i studentëve duhet të dëgjohet. Kam dëgjuar kërkesat e tyre që kanë evoluar. Ditën e parë kishin dy dhe ditën e dytë u bënë katër. Unë kam kërkuar të takohem me ta edhe në zyrën time ose në auditore. Gjenerata më e vyer që ky vend ka nuk meriton të bënim një komunikim në rrugë dhe nuk u pa e arsyeshme. Ata kërkuan që të dilja në shesh që të komunikonim. Kanë të drejtë studentët, kanë gjithmonë të drejtë dhe meritojnë që të dëgjohen.”, -tha Nikolla.

Pak pas deklaratës ministres, ndërhyri pedagogu Edmond Tupja, ndërsa i kërkoi publikisht Nikollës se ajo duhet të jepte dorëheqje dhe se duhej t’i bashkohej protestës.

“Unë jam për arsimin falas, le t’i gjejë ku të dojë shteti paratë. Me studentët nuk duhet të tallesh. Del VKM-ja, pastaj zbutet, tani thonë që iku VKM-ja…Studentët lodhen në punë, fitojnë pak dhe vijnë pastaj për master në darkë. Unë i them zonjës Nikolla se humbi një rast për të hyrë në histori. Unë në vend të saj do të kisha marrë guximin dhe do të kisha dhënë dorëheqjen për t’u bashkuar me protestuesit”, deklaroi Tupja në ‘Open’.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb