VLORË- Ish-deputeti i LSI-së në Kuvendin e Shqipërisë, Nikollaq Neranxi ka denoncuar sot shefin e komisariatit të Kuçovës, me pretendimin se e ka fyer dhe kërcënuar.


Denoncimi për veprën penale ‘kërcënim dhe fyerje’ u depozitua në SHKB-në e Vlorës, ndërsa sipas Neranxit, padia bëhet pasi kjo është hera e dytë, që i ndodh ky problem me këtë person.


Në një prononcim telefonik për News 24, Neranxi sqaroi se konflikti ka ndodhur në Himarë, aty ku ka një shtëpi ngjitur me zotërinë që e ka kërcënuar. Teksa sqaron ngjarjen, ai kërkon ndihmë për veten dhe familjen, pasi ndjehen të rrezikuar për jetën.


“Në fakt nuk e di nga e morët informacionin, unë nuk doja ta bëja publike çështjen. Është një rast i rëndë, një drejtues policie i shtetit më kërcënon. Jam i shokuar për këtë ngjarje, nuk do doja të flisja para se prokuroria të hetojë mbi çështjen”,- tha Neranxi.

“Unë jam nga Himara, kam një shtëpi atje, ngjitur me shtëpinë time ndodhet shtëpia e këtij personit që më kërcënoi. Ishim dje për një drekë me të afërmit për Pashkë, ndërsa kur zbritëm për të ikur, ai më kërcënoi nga lart. Unë kërkoj ndihmë nga policia, se më kërcënohet jeta ime dhe e familjes”,- shtoi ai.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: