Gazetari dhe drejtori i gazetës “Koha Jonë” Nikollë Lesi në një lidhje të drejtpërdrejtë në “News 24” sqaroi pse u dhunua nga policia teksa shkonte në redaksi, në një kohë që zhvillohej edhe protesta e opozitës.
Ai u shpreh se policët ishin nervozë, ndërsa shtoi se policia ka një frymë të ashpër ndaj atyre që kritikojnë qeverinë.
“Jam dhunuar nga policia. Ishin 8 deri 10 policë që më kanë dhunuar. Isha në makinën time dhe po ikja në redaksi. Policët ishin të tensionuar sapo më njohën. Unë si gazetar po ndiqja protestën. Dolën përpara meje dhe më rrethuan makina policie, Shqiponjat etj. Iu thashë se po ikja në zyrën time në redaksi dhe isha korrekt në çdo gjë. Ata m’u turrën dhe donin të më nxirrnin me forcë nga makina. Më shqyen dorën e majtë, mbylla menjëherë derën e makinës. Policia donte të më shoqëronte në komisariat, por për fat të mirë nuk ndodhi. Policia ka frymën e pushtetit. Fryma e këtij pushteti ka shkuar deri te polici i thjeshtë. Jam gazetar që bëj kritikat e mia normale gazetareske”, tha Nikollë Lesi.
Ai shtoi ndër të tjera se iu desh të komunikonte me Ardi Veliun që policët ta lironin.
(d.xh/ Balkanweb)