Dibra është një nga qarqet më të prekura nga reshjet e borës. Gazetari Enver Doçi raportoi për “BalkanWeb” se ka probleme në zonat e thella nga prania e akullit dhe ngricës në rrugë. Në disa zona të thella mjetet e kanë të pamundur qarkullimin për shkak të ngricave, ndërsa në disa të tjera trashësia e borës arrin në 40 cm.

Për sa i përket rrugës nacionale Kukës-Peshkopi kalohet me vështirësi, ndërsa rruga nacionale Peshkopi-Tiranë kalohet pa probleme. Borëpastrueset janë në gatishmëri të plotë. Në lartësinë mbi 800 metër mbi nivelin e detit kanë vazhduar reshje dëbore. Disa zona rurale si në Bulqizë dhe Dibër janë të izoluara nga dëbora.

Sipas nën prefektit të Bulqizës 115 familje në Tërnovën e Madhe dhe në Tërnovën e Vogël janë të bllokuara.

Ndërkohë ulja e mëtejshme e temperaturave ka rritur mundësitë për borë edhe në qytetet jugore. Gazetarja Brikena Metaj raportoi për “BalkanWeb” se mëngjesin e sotëm ka nisur të bjerë borë në Gjirokastër por deri tani nuk ka pas probleme.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Pjesa e sipërme e qytetit pati që dje reshje bore. Mësohet se të gjitha akset rrugore në qarkun e Gjirokastrës janë të kalueshme pa zinxhirë.

Ndërkaq në Korçë reshjet e borës kanë vijuar në gjithë qarkun duke u shoqëruar edhe me temperatura tepër të ulëta. Si pasojë e ngricave në rrugë ka edhe prezencë akulli. Me zinxhirë kalohen akset Korçë- Dardhë, Korçë- Voskopojë, Korçë- Pustec dhe Qafa e Qarrit. Probleme edhe në zonat e thella malore. Bora vijon të bjerë akoma duke ulur ndjeshëm temperaturat në lartësi mbi 1000 m temp -13.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb