Në datat 19 deri më 24 shtator, në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi, mbahet edicioni i 17-të i festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të drejtat e njeriut. 37 filma nga 3200 aplikime do të shfaqen në Tiranë, ndërsa hapja e së hënës nis me një homazh për Ukrainën.
“Sivjet tema është Rinia dhe të drejtat e njeriut. Por ndërsa jetojmë në një kohë që ajo luftë që duket e larët si Ukraina mund të trokasë në shtëpitë tona ndaj ne kemi 5 filma nga Ukraina dhe një ekspozitë me fotografi nga Ukraina nga fotografë të njohur” tha Kujtim Çashku, regjisor e drejtor i festivalit.
Ambasadorë dhe regjisorë të filmave që japin mesazhe të forta për të drejtat e njeriut, nga emigracioni te luftrat do të jetën të pranishëm përgjatë 6 ditëve të festivalit që jep një panoramë të prodhimeve dokumentare e filmike të 2 viteve të fundit, duke dashur t’u jepet një qëndrim i qartë të rinjve.

“Brezi i ri po jeton në një kohë revolucioni të komunikimit që përveç anëve të mira përbëjnë kërcënim për të drejtat e njeriut, nga ‘fake news’ në ndërhyrje në privatësi, apo abuzimi. Filmat e përzgjedhur për festivalin e këtij viti janë menduar për të stimuluar të menduarit tonë dhe diskutimin sa i përket këtyre çështjeve. Jemi mirënjohës që mblidhemi për të konsideruar të ardhmen tonë dhe angazhimin për të drejtat e njeriut” , u shpreh Theodore Orlin, president nderi i festivalit.

Festivali do të shfaqë filma në akademinë Marubi, në lulishten e kryeministrisë, në kinemanë “Maks Velo” në Laprakë, në arkivin qendror të filmit në ish-Kinostudio dhe në mjedise të tjera si Akademia e Rendit dhe Parlamenti i Shqipërisë.

(BalkanWeb/News24)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb