Kryeministri Edi Rama me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar fillimin e punimeve për ndërtimin e spitalit të ri të Laçit, i dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit.

“Kemi filluar punimet për ndërtimin e spitalit të ri bashkiak të Laçit. Që në momentin që filluam punën për të ndërtuar spitalin e ri, morëm dhe një model se si duhet të jetë një spital bashkiak, duke parë edhe prirjet demografike, por gjithashtu edhe nevojën për shërbime bazë. Afati i punimeve është 4 muaj. Ne duam ta mbarojmë më shpejt”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se, spitali i ri i Laçit do të jetë modeli i spitaleve të ardhshme bashkiake, me shërbime të integruara.

“Spitali i ri do të ketë 40 shtretër dhe ndërkohë do të ketë modelin e një spitali 24-orësh. Do të ofrojë shërbimet e emergjencës, shërbime të patologjisë, shërbime të pediatrisë dhe shërbime të maternitetit. Ndërkohë që do të ketë dhe poliklinikën, pra konsultat e përfshirë brenda një godine. Modeli që po ndërtojmë në këtë spital, do të jetë dhe modeli i ardhshëm i spitaleve bashkiake. Aktualisht ka një mungesë eficience dhe racionalizimi në spitalet bashkiake. Ky spital do të na shërbejë për të shtrirë modelin edhe në qytete të tjera”, tha Manastirliu.

Spitali i Laçit u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, duke u klasifikuar si një nga objektet me dëmtime të rënda strukturore. Rindërtimi i spitalit të ri të Laçit pritet të përfundojë brenda muajit qershorit të këtij viti. Më shumë se 46 mijë qytetarë të bashkisë Kurbin do të përfitojnë shërbim shëndetësor sipas standardeve më të mira pas përfundimit punimeve të spitalit të ri të Laçit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb