Nga data 1 deri më 7 Qershor në shumë qytete të vendit do të organizohen një sërë aktivitetesh për Java italiane të Kulturës. Gjatë një ceremonie në Tiranë në prag të çeljes së kësaj jave, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se së shpejti në kryeqytet do të ndërtohet godina e re e Ambasadës së Italisë.

“Ishim të tre vjet kur hapëm garën për ambasadën e re të Republikës Italiane. Tani do të mbyllim garën, ndaj do të anonçojmë fituesin e ambasadës së re. Është konceptuar si një galeri, si një derë e hapur. Ka pak zyra ku do punojnë zyrtarët patjetër por pjesa më e madhe është e aksesueshme nga qyteti edhe për ta vizituar, edhe për galerinë dhe ashtu si kjo shtëpi është bërë ndoshta një ndër shtëpitë më të frekuentuara të qytetit tonë, pavarësisht se formalisht është rezidenca e ambasadorit, por në thelb është një galeri e qytetit. I gjithë koncepti i ambasadës së re është që të jetë një odë, një galeri, një hapësirë e madhe e qytetit, ku punojnë edhe disa zyrtarë italianë. Do prezantojmë projektin gjatë javës. Do të jetë me shumë gjasë ambasada më e bukur e Italisë në botë,” u shpreh Veliaj.

Ai vlerësoi edhe morinë e eventeve që do të zhvillohen gjatë javës Italiane të Kulturës në Tiranë e jo vetëm, ku veçoi pikërisht Ditë kushtuar Arbëreshëve. “Jam shumë i lumtur që ne do të kemi një pjesë të komunitetit arbëresh që do të përfaqësohet edhe me një aktivitet që ka të bëjë me kuzhinën dhe se si ka pasur një fusion të kuzhinës arbëreshe, kuzhinës së vjetër shqiptare me atë italiane por mbi të gjitha edhe veshjet, sidomos pas një viti ku ne kemi çuar në UNESCO xhubletën. Fakti që pas 500 vitesh jo vetëm mbrohet gjuha, por ruhen veshjet është diçka shumë e madhe,” deklaroi Veliaj.

Java e Italisë do të udhëtojë nga veriu në jug pasi aktivitete të shumta sportive kulturore e artistike janë planifikuar në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Përmet, Gjirokastër, Korçë, Berat etj.. Mes tyre edhe kremtimi i Festës së Republikës, koncerti i grupi Planet Funk, Festivali i Shkencës, dita kushtuar Arbëreshëve, Pizza Village, Run For Autism.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: