DURRES- Amfiteatri i Durrësit do të zbulohet plotësisht dhe të gjitha objektet arkeologjike do të jenë të vizitueshme për turistët vendas dhe të huaj. Për të realizuar këtë ka nisur puna për prishjen e tre banesave që gjenden mbi arenën e këtij amfiteatri. Kreu i Bashkisë së Durrësit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës kanë marrë masat për dëmshpërblimin e banorëve që jetojnë mbi amfiteatër për t’i krijuar mundësi gërmimeve të mëtejshme për zbulimin e plotë të tij.

Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro inspektuan fillimin e punimeve për prishjen e banesave të para.

Vangjush Dako theksoi se bashkia e Durrësit ka në vizionin e saj zbulimin e plotë të amfiteatrit, këtij aseti kaq të rëndësishëm të qytetit të Durrësit, si dhe transformimin e të gjitha objekteve arkeologjike në burime për zhvillimin ekonomik të qytetit.

Më tej ai theksoi edhe bashkëpunimin e frytshëm me qeverinë dhe me Ministrinë e Kulturës jo vetëm për projektin e amfiteatrit, por edhe për realizimin e projekteve të tjera ku veçohet rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik.

Më pas Dako shpalosi edhe strategjinë e bashkisë përsa i përket trajtimit të objekteve të trashëgimisë kulturore. Sipas tij ato do të mirëmbahen dhe do të jenë që të gjitha të vizitueshme.

“Së bashku me Muzeun Arkeologjik dhe amfiteatrin, Durrësi merr vlerat e vërteta që meriton për trashëgiminë kulturore. Kjo trashëgimi veç vlerave historike që mbart duhet kthyer në një potencial për zhvillimin ekonomik të qytetit”tha Dako.

Nga ana e saj ministrja e kulturës Mirela Kumbaro sqaroi rrugën që do të përshkojë prishja e banesave mbi arenën e amfiteatrit si dhe gërmimet për zbulimin e plotë të tij.

“Gjithçka do të kryhet në mënyrë manuale në mënyrë që të mos ketë asnjë lloj dëmtimi Projekti do të kalojë nëpër dy faza. Fillimisht do të prishen 3 objektet e para dhe në një fazê të dytë edhe 9 objektet e tjera. Qeveria shqiptare ka shpronësuar me 46 milion lekë pronarët e 3 banesave të cilat po i nënshtrohen procesit të prishjes dhe gjithashtu ka vënë në dispozicion edhe 4 milion lekë të tjerë për të mundësuar prishjen manuale të banesave dhe rehabilitimin e trojeve të tyre”, ka sqaruar ministrja Kumbaro.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb