* Batutat e Veliajt: Unë jam ai i fiqve dhe jam dy herë i lumtur që në vendin ku kam punuar që fëmijë, ne sot këtë fillojmë këtë projekt të ri

* Michael Granoff: Do të kthehemi pas 7 muajsh për të parë se si ka ndryshuar gjithçka.

TIRANE- “Pazarit të ri” në kryeqytet tashmë do t’i jepet një pamje e re. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka përuruar sot fillimin e punimeve për projektin i cili do të rikonstruktojë këtë zonë. Në fjalën e tij, Veliaj tha se me këtë projekt jo vetëm që do të zgjidhen problemet që kjo zonë ka patur deri më tani, por edhe do të vendoset një standard i ri për punët publike.

Kryebashkiaku nuk ngurroi të kujtojë edhe ditët kur ka punuar pranë këtij pazari.

“Unë jam ai i fiqve dhe jam dy herë i lumtur që në vendin ku kam punuar që fëmijë, ne sot këtë fillojmë këtë projekt të ri. Për snobët që s’kanë prekur punë me dorë, kjo nuk përbën gjë, por për duarartët që punojnë çdo ditë për të mbajtur me pune të ndershme familjet e tyre, ky është një projekt me rëndësi. Unë kam blerë këtu atletet e mia të para.

Është ndërtuar në fillim të viteve ’30, por edhe pse quhet “Pazari i ri” po mbush gati 100 vjet.

Megjithatë kjo zonë ka qenë mjaft problematike kohët e fundit, me rrugë të dëmtuara, kushte të këqija higjienike, dhe mungesë infrastrukturë. Por me këtë projekt situata do të ndryshojë. Projekti do të zgjidhë shumë probleme, dhe do të vendoset një standard i ri për punët publike”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Nga ana e tij, Michael Granoff, kryetari i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit nënvizoi rëndësinë e menaxhimit të këtij pazari.

“Mund t’ju them me siguri që ndajmë të njëjtën energji për të rivitalizuar këtë pazar. Ne po mundohemi të sjellim etikën e menaxhimit të përbashkët të këtij pazari. Shumë shpejt do të shohim ndryshime infrastrukturore, që do ta bëjnë të gjallë këtë zonë. Kjo do të jetë zona më e madhe e zhvillimit të biznesit. Do të ketë një vendimmarrje të përbashkët me bizneset për mirëfunksionimin e këtij pazari”, tha Granoff.

Më tej, ai tha se do të kthehet për të parë ndryshimet, që do të vijnë falë aplikimit të projektit

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb