DURRËS

Nisin punimet për thellimin e basenit dhe kanalit hyrës në Portin e Durrësit, që do të mundësojë hyrja e anijeve të një madhësie prej 20.000 ton. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, ishin sot në këtë kantier, që do të përmirësojë kapacitet përpunuese në portin më të madh të vendit, që si pjesë integrale do të ketë edhe terminalin modern të krocerave, që pritet të nisë këtë vjeshtë.


“Nëse aktualisht në Portin e Durrësit anijet hyjnë me zhytje 7.5 metra, mendohet që me thellimin që do bëjmë deri në 10.45 metra, atëherë do rrisim kapacitetin e hyrjes së anijeve dhe është një leverdi e madhe ekonomike, sepse duke ardhur anije me kapacitete të mëdha, edhe prurjet do jenë të mëdha”, – tha inxhinieri projektues.


Ndërkohë që pjesë integrale e portit do të jetë edhe terminali i kroçiereve, punimet për të cilin pritet të nisin vjeshtën e këtij viti. Kryeministri e vlerësoi këtë projekt si një domosdoshmëri, por edhe si një aset infrastrukturor, i cili do të tërheqë më shumë turistë në Durrës.


“Terminali i korçiereve është i domosdoshëm. Ai e transformon komplet situatën dhe hap rrugë një projekti të jashtëzakonshëm për Durrësin, sepse ai andej, me idenë tjetër që kemi për ta nxjerrë qytetin në breg, duke ndërtuar një marinë turistike, do jetë ndryshim historik”, – tha Kryeministri.

Me kapacitet fillestar prej 500 turistësh në ditë, ky terminal pritet që në përfundim të tij të mirëpresë rreth 2500 turistë në ditë dhe të përpunojë 5 kroçiere njëkohësisht.

“Me thellimin e portit do vijnë anije më të mëdha. Edhe çmimi për transport do ulet. Kjo është ajo që fitojmë, se Mali i Zi është 11 metra, por nuk kanë minerale. Po të ngarkohet një anije me 30 mijë ton krom këtu, shkon direkt në Kinë. Industrisë së kromit dhe të minerareve, kjo do t’i japi shumë ndryshim. Me këtë thellim edhe numri i kroçiereve me kapacitet më të madh do rritet”, u shpreh kapitet i portit të Durrësit.

(BalkanWeb)