Nga sot, autostrada e parë e Kategorisë A në Shqipëri, Thumanë-Kashar, është e hapur për qarkullimin e automjeteve.
Autostrada është një koncension privat dhe do t’i dorëzohet shtetit e mirëmbajtur pas 35 vitesh.
Përfitues direkt të kësaj autostrade janë drejtuesit e automjeteve, që nuk do qëndrojnë më në trafik, zona, e cila merr një hov tjetër zhvillimi dhe, sigurisht, aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Në këtë autostradë lejohet një shpejtësi prej 130 km/h, shpejtësi kjo që nuk lejohet (bazuar te tabelat) në asnjë aks tjetër.
![9a829f9e A63b 4915 Bb13 83624ec068d7](https://www.balkanweb.com/wp-content/uploads/2024/06/9a829f9e-a63b-4915-bb13-83624ec068d7-525x350.jpg)
Nëse dikush nuk do të përdorë rrugën me pagesë, do të ketë si alternativë lëvizjeje rrugët dytësore.
![3f1a23b0 A1de 449f A91d 1a993ea11798](https://www.balkanweb.com/wp-content/uploads/2024/06/3f1a23b0-a1de-449f-a91d-1a993ea11798-scaled.jpg)
Kryeministri Edi Rama tha se kjo rrugë është një vend ku të gjithë ata që duan të prekin me syrin e imagjinatës se çfarë është Shqipëria e vitit 2030 mund ta shohin, pasi e gjithë rruga nga Muriqani në Vlorë do të jetë kështu.
Rama tha se autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet, ndërsa rruga e vjetër e Ndroqit, do të jetë ajo që është, por do të jetë një rrugë panoramike.
“Kjo rrugë është një vend ku të gjithë ata që duan ta prekin me syrin e imagjinatës çfarë është Shqipëria 2030 mund ta shohin sepse brenda kësaj periudhe e gjithë rruga, nga lart në Muriqan e deri në Vlorë do të jetë kështu, ky është Korridori Blu dhe ndërkohë edhe Korridori i VIII do të jetë tërësisht i përfunduar e po ashtu, – pasi kam vënë re që ka shumë komente për pjesën e rrugës Tiranë-Durrës dhe pjesën e rrugës së vjetër të Ndroqit, – shumë shpejt do të fillojë edhe ai projekt dhe autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet ndërkohë që rruga e vjetër e Ndroqit do të mbetet ajo që është, por do të jetë një rrugë turistike, panoramike, e cila do të mundësojë një kalim alternative, por dhe nuk diskutohet një qarkullim shumë më të këndshëm në atë segment. Edhe punimet për tunelin e Murrizit janë në rrugë të mbarë, pavarësisht problematikave të shumta me gjeologjinë e tokës.
Dhe një gjë tjetër, se ti drejton qarkun e Dibrës, por duke qenë se me dibranët rri përditë, mbase e ke merakun të menaxhuar në mënyrë të përditshme, unë i kam shumë merak dibranët se i kemi me shumë rëndësi për të gjithë atë zone, e cila tanimë po ndryshon përditë. E para, që tuneli i Murrizit është fiksimi por ndërkohë është një fiksim në luftë me gjeologjinë, prandaj nëse tuneli i Llogarasë filloi më mbrapa dhe mbaroi më përpara, kjo erdhi vetëm si rezultat i gjeologjisë.
Në Murriz ne po ecim dhe nuk duam të flasim, nuk duam të vëmë afate pasi nuk duam të kemi më befasira të gjeologjisë brenda tunelit, por nëse edhe fuqia e zotërve të Dibrës do të na ndihmojë, ne do kemi tunelin e Murrizit përpara përfundimit të vitit dhe të gjithë dibranët mund të mblidhen atje në sofrën e madhe dibrane për Vit të Ri. Ndërkohë që, e dyta, kam parë që është ndarë një lajm sipas të cilit rruga e Arbrit do të bëhet me pagesë. Rruga e Arbrit nuk do të jetë me pagesë, nuk do të ketë pagesë për rrugën e Arbrit”, u shpreh Kryeministri Rama.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se përvëç lehtësimit të komunikimit për komunitetin, në mënyrë të veçantë rruga i shërben turizmit.
“Praktikisht në tre portat hyrëse të Shqipërisë që vijnë nga veriu, vetëm për 5 muajt e parë, Murriqan- Han i Hotit dhe Morinë, ne kemi një rritje 15- 75 % krahasuar me vitin e kaluar që hyjnë nga kjo pikë, nga të gjithë, edhe nga rajoni sidomos ata që vijnë nga Europa, nga Kroacia edhe më tutje. Domethënë është një rrugë që i shërben patjetër komunitetit, por po të kemi parasysh fluksin në rritje të automjeteve, i shërben sidomos turizmit. Edhe për pasojë edhe komunitetit, që me hotelet, agroturizmet dhe bujtinat që ka në të gjithë zonën e veriut, do të furnizohet më shpejt, më mire, do të shpëtojnë nga pritjet e gjata”, u shpreh ajo.