SHKODER- Janë prezantuar së fundmi projekti i restaurimit të Teatrit “Migjeni” në Shkodër dhe ai i kishës së Shën Thanasit në Karavasta, pranë Divjakës. Projekti i “Migjenit” është hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe fondi i akorduar për fazën e parë të punimeve kap shifrën e 86 milionë lekëve të reja. Faza e parë e projektit, quajtur edhe faza e shpëtimit, është menduar të ndërhyjë në impiantet dhe sistemet teknologjike. Konkretisht do të ndërhyhet në impiantin elektrik, i amortizuar dhe pa asnjë projekt që nga koha e ndërtimit, në impiantin mekanik të skenës dhe në impiantin e ndërrimit të ajrit.

Projekti parashikon edhe ndërhyrje emergjente në sistemin e mbrojtjes nga zjarri, ku ekspertiza e kryer e gjen jashtë çdo sistemi funksional. Në aspektin struktural do të ndërhyhet në strukturën e mbulimit në holl, skenë dhe sallë. Elementet arkitektonikë parashikojnë ndërhyrje në çati, ku do të merren masa për vendosjen e kapriatave, binarëve, etj. Projekti parashikon ndërhyrje në katin e nëntokës në sistemin e drenazhit dhe në fasadën e të gjithë ndërtesës. Edhe për Kishën e Shën Athanasit, projekti u hartua nga IMK dhe kap vlerën e 12 milionë lekëve. Ndërtesa përfaqëson një monument historik dhe kulturor që daton në gjysmën e dytë të shek.XVIII.

Në vitin 1979 piktorët grabovarë (Çetirët) Gjergj dhe Joan Katro pikturuan kishën me afreske. Tavani është i punuar në dru halor, i gruntuar dhe i dekoruar me motive floreale si dhe pjesërisht i gdhendur, kryesisht në rozetat kryesore të pikturuara me figurën e Krishtit në qendër dhe figurën e Shën Thanasit, si dhe në frizat gjatësore. Piktorët grabovarë, Joani dhe Gjergji kanë adaptuar në ikonografi tematikën e vendosur në kishën Ortodokse, të pasuruar me elementë stilistikorë të influencuara nga zhvillimet artistike në malin e Athosit, të përdorur më parë nga mësuesit e tyre, Konstandin dhe Athanas Zografi, duke iu përshtatur njëkohësisht me përpikëri edhe mënyrës së radhitjes së skenave.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb