Ka nisur këtë pasdite sesioni i ri parlamentar. Seanca e parë plenare në Kuvend është hapur me fjalën e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili tha se si asnjëherë në historinë e pluralizmit, Kushtetuta iu rezistoi aventurave, duke shpëtuar sistemin demokratik të Shqipërisë nga anarkia dhe kaosi.

Duke falënderuar grupin e ri opozitar në Kuvend, Ruçi tha se ky sesion do të ketë edhe më shumë përgjegjësi, teksa përpara është procesi për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

“Kuvendi përballoi me dinjitet sfida të jashtëzakonshme dhe unike. Demokracia liberale si asnjëherë gjatë tre dekadave u provua si demokraci kushtetuese dhe vetë konstutucionalizmi si tendencë solide e saj. Si asnjëherë në historinë e pluralizmi, Kushtetuta u rezistoi aventurave duke shpëtuar kështu sistemin demokratik të Shqipërisë nga anarkia dhe kaosi. Rreth 70% e mandateve janë zëvendësuar shumë shpejt nga deputetët e rinj të opozitës, gjë që ndihmoi në rikthimin e normalitetit të Kuvendit.

Kuvendi ushtroi me intensitet funksionin e tij legjislativ. Grupi i ri opozitar meriton mirënjohjen e gjithë shqiptarëve. Reforma në drejtësi ishte argumenti më bindës për rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Kjo reformë është meritë ekskluzive e Kuvendit. Në Kuvend do dorëzohen shumë shpejt kandidaturat për Gjykatën Kushtetuese. Prioritet kemi përmbylljen e Reformës Zgjedhore, që do jetë një produkt i Kuvendit, duke përfshirë edhe opozitën jashtëparlamentare”, tha Ruçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: