Prej ditës së sotme, 3 mijë përfituesit e lotit të parë të dëmshpërblimeve nga tërmeti i 26 nëntorit në Bashkinë e Tiranës, mund t’i tërheqin pagesat cash në çdo pikë të Postës Shqiptare. Në një mbledhje online të organizuar paraditen e sotme, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, shprehën angazhimin maksimal për të vijuar me dëmshpërblimin e të dëmtuarve, që janë pjesë e fondit prej 80 milionë dollarësh të parashikuar në buxhetin e shtetit për këtë qëllim.
Gjatë raportimit për ecurinë e procesit në qytetin e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj tha se krahas përfituesve të pare, janë në proces edhe dy lote të tjera, që do të kalojnë së shpejti në Këshillin Bashkiak, përkatësisht 3100 dosje që i shtohen listës së personave që përfitojnë aktualisht dëmshpërblimin. “Ne kemi tashmë të akorduar nga qeveria një fond prej mbi 700 milionë lekësh; 560 milionë janë pagesa cash të familjarëve. Ndërkohë, pjesa tjetër ka të bëjë me rregullimin e ambienteve të përbashkëta. Me grantin që kemi marrë për ambientet e përbashkëta është ezauruar e gjithë kërkesa, ndaj transhi tjetër i 3100 familjeve do të jetë për pagesa cash për dëmet DS1/DS2/DS3”, sqaroi Veliaj. Ndërsa, theksoi se ka një numër minimal dosjesh të skualifikuara, rreth 300, të cilat i përkasin familjarëve që kanë një shtëpi të dytë po në Tiranë.
Paralelisht me këtë proces, Bashkia e Tiranës ka ecur me nënshkrimin e kontratave për ndërtimin e 200 banesave të para individuale. Bashkia e Tiranës do të ndërhryë në 243 pallate për të riparuar dëmet në hapësirat e përbashkëta.
Kryeministri Edi Rama theksoi se janë 80 milionë dollarë fonde të cilat do të shpërndahen për të gjithë të dëmtuarit nga tërmeti me nivele dëmi DS1 deri DS3. “Aktualisht, Bashkia e Tiranës ka 5.6 milionë dollarë në proces. Ndërkohë, jemi në procesin e fillimit konkret të punës në terren për ndërtimin e shtëpive. Qytetarët duhet të kuptojnë se kjo e sotmja është vetëm një pjesë, pasi bashkia po i bën miratimet me lote. Janë dy mbledhje të radhës së Këshillit Bashkiak, ku presim të miratohen 3100 dosje dhe 2000 të tjera. Pra, në total 5100 dosje, për të cilat do të lëvrohen fondet drejtpërdrejt për familjet e dëmtuara”, tha Rama.