Qyteti i bukur i Korçës starton sot Festën e Birrës, eventin më të madh festiv veror. Në kuadër të festës së përvitshme policia është angazhuar për garantimin dhe ruajtjen e sigurisë në këtë qytet.

Nën ritmet e muzikës, dhe duke shijuar Birra Korça, festa do të nis sot për të vijuar deri në 18 gusht, event që do të mbahet përpara Stadiumit “Skënderbeu” si edhe “Pazarit të Vjetër”.

MASAT
Nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, janë marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë publike, për zhvillimin e manifestimin sa më normal të këtij eventi.

Nga këto struktura do të merren masa për bllokimin e lëvizjes së automjeteve nga vendi i quajtur “Lëndina e Lotëve”, Pallati i Sportit, Qendra e Trajtimit të Studentëve, Unazës së Stadiumit si dhe në rrugën “Niko Kovaçi” (rruga e Dritave të Verdha e cila do të qëndrojë e bllokuar) me punonjës të policisë rrugore dhe me mjete mekanike bllokimi e sinjalizimi duke filluar nga data 14.08.2019, ora 10:00.

Në bashkëpunim me Policinë Bashkiake do të lejohet hyrja në unazën lindore dhe veriore të Stadiumit, ku vendi i parkimit të këtyre automjeteve do të jetë në pjesën veriore të kësaj unaze.

Në dy Bulevardet kryesore “Republika” dhe “Gjergj Kastrioti”, në sheshet ku do të ketë përqendrim dhe qarkullim të madh njerëzish dhe mjetesh do të ketë shërbime të shtuara të punonjësve të Policisë, të cilët do të mbikëqyrin ruajtjen e rendit, do të ndërhyjnë në zgjidhjen e problemeve, do të parandalojnë krijimin e situatave të ndryshme të cilat mund të cënojnë sigurinë publike.

Shërbimet e Rendit, do të mbajnë kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e objekteve me rëndësi të veçantë si: Nënstacionet Elektrike, Ujësjellësi, etj për të forcuar masat e ruajtjes së tyre. Policia Rrugore, do të jetë në gadishmëri të plotë për të orientuar lëvizjen e mjeteve para, gjatë zhvillimit dhe deri në përfundim të këtij eventi, do të disiplinojnë trafikun me qëllim parandalimin e ngjarjeve të mundshme rrugore.

Drejtuesit e mjeteve këshillohen të shmangin lëvizjet e shtuara me mjet përgjatë këtyre ditëve, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke kufizuar përdorimin e pijeve alkoolike, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të respektojnë sinjalistikën horizotale dhe vertikale, me qëllim shmangien e aksidenteve.

Të gjithë qytetarët të cilët ndeshen me probleme apo shqetësime të ndryshme, janë të lutur të telefonojnë tek nr 129 i Policisë së Shtetit, pasi do ju sigurohet një reagim i menjëhershëm dhe efektiv nga ana shërbimeve të Policisë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: