NGA ANILA JOLE*

GREQI- Sot në Athinë në ambientet e burgut të Koridhalosë, fillon gjyqi kundër anëtarëve të partisë neonaziste Agimi i Artë, një nga proceset që konsiderohet i rrallë dhe shumë i rëndësishëm në historinë e Greqisë. Janë 69 të akuzuar, mes të cilëve deputetë dhe kreu i partisë Nikos Mihaloliakos, të cilët akuzohen për krijim të organizatës kriminale dhe nëse gjenden fajtorë për këtë akuzë, partia shpallet e paligjshme.

Një trupë e madhe avokatësh do të mbrojnë të akuzuarit, ndërsa në proces do dëgjohen mbi 100 dëshmitarë për veprimtarinë e kësaj partie që nga krijimi, e deri më sot. Prokuroria e konsideron Agimin e Artë organizatë aktive kriminale e tipit nazist, që vepron prej vitit 1987 deri më sot me strukturë ushtarake, me degë dhe hierarki në gjithë vendin.

Kjo parti u vu në fokusin e drejtësisë pas vrasjes së këngëtarit antifashist Pavlos Fissas në shtator 2013 nga një veprimtar i partisë neonaziste, vrasje e cila është edhe një nga çështjet kryesore të gjyqit. Ishte pikërisht kjo vrasje që nxiti arrestimin e shumë prej anëtarëve dhe liderëve të kësaj force. Gjyqi pritet të zgjasë rreth një vit, ndërsa mbetet në pikëpyetje nëse salla e burgut të Koridalos do të mund t’iu përgjigjet kërkesave të një procedure të tillë, siç është ky proces gjyqësor.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: